Protesta e NJSI më 1 nëntor

Sindikata e Policisë merr pjesë në protestën e nesërme të njësive speciale

Sindikata e Policisë së Kosovës do të marrë pjesë në protestën e nesërme që do të mbahet nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Pjesëmarrjen e tyre e ka konfirmuar për KALLXO.com kryetari i kësaj sindikate, Imer Zeqiri.

”Po, po patjetër edhe ata pjesëtarë të Policisë janë, na jemi sindikata që i mbrojmë të drejtat e punëtorëve edhe do t’i paraqesim të gjitha kërkesat d.m.th. për gjithë pjesëtarët e policisë dhe jo vetëm për njësitë të cilat do të marrin pjesë” –  ka thënë Zeqiri.

Për ndërmarrjen e hapave të tjerë pas paraqitjes së kërkesave të tyre në protestë, ai tha se do të shohin se a do të ketë reflektim nga Qeveria e Kosovës.

“Paqësore gjithsesi, polici jemi na” – është përgjigjur Zeqiri.

Protesta do të mbahet para Qeverisë së Kosovës nesër në ora 12:00.

Më 1 nëntor 2023, pjesëtarët e FIT-it kanë protestuar para Qeverisë.

Kjo protestë ishte thirrur për të shprehur pakënaqësitë me shtesat e rrezikshmërisë, pagën, por edhe shtesat e tjera.

Pas protestës së 1 nëntorit, ishte paralajmëruar një protestë tjetër më 7 nëntor, por nuk u realizua, pasi kryeministri Kurti u premtoi takim.

Pas këtij takimi, i cili kishte zgjatur më shumë se dy orë, ishte raportuar se kryeministri Kurti nuk iu ka premtuar plotësim të kërkesave të tyre.