Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sindikata e KEK, kërkon t’u kthehet Departamenti i Sigurisë Fizike

”Kryeministër – Ndalo padrejtësinë ndaj punëtorëve të shërbimit të sigurimit fizik të KEK-ut”, “Nuk lejojmë të shitemi tutje”, “Ne jemi të huazuar, e jo të privatizuar”, ishin disa nga pankartat që dhjetëra punëtorë të KEK, mbanin në duar si thirrje për qeverinë, gjatë marshimit protestues të organizuar nga Sindikata e Korporatës Elektroenergjetike e Kosovës.

Sindikalistët e KEK, organizator të kësaj proteste, thanë se po ndihen të tradhtuar pasi nuk po u plotësohen premtimet që iu kishin dhënë për kthim të Departamentit të Sigurisë Fizike në KEK.

“I bëjë thirrje Qeverisë që mos të zgjasë shumë, që të merr masa ndaj menaxhmentit të KEK-ut, të kthej këtë Departament aty ku e ka vendin”, tha nënkryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Lluminca.

I njëjti tha se Qeveria aktuale gjatë kohës sa ishte në opozitë, i kishte thënë sindikatës së KEK se është e drejta e tyre e ligjshme që të kthejnë Departamentin e Sigurisë Fizike nën menaxhimin e KEK-ut.

Lluminca shtoi se ky Departament nuk është privatizuar, por është pasivizuar.

“E kjo, ka ndodhur për arsye të interesave të menaxhmentit të KEK-ut”, tha ai, duke akuzuar menaxhmentin se janë të kapur nga politika.

Ai ka thënë se negociatat rreth kësaj çështje i kanë filluar me menaxhmentin e KEK – ut, porse ata nuk po duan ta mbyllin këtë çështje edhe pse e ka një afat të caktuar.

Për këtë ka folur edhe sekretari i Sindikatës së KEDS-it, Rashit Gashi i cili ka thënë se proceset që kanë ndodhë në KEK kanë qenë procese të paligjshme të padrejta dhe gjithmonë në kurriz të punëtoreve.

“Të gjitha pasojat i kemi mbajt ne si punëtor, duke punuar në mënyrë skllavëruese me paga minimale”, ka shtuar Gashi.

Përderisa, kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Termocentralit “Kosovës B”, Muharrem Gashi tha se i përkrah protestuesit duke u premtuar që do të jenë pranë tyre deri në momentin kur realizohen kërkesat që kanë.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com