Ilustrim

Si ka ndryshuar jeta në Afganistan në 20 vitet e fundit?

 

Qytetarët afganë kanë parë shumë ndryshime në jetët e tyre prej kur talebanët e kishin kontrollën e vendit për herë të fundit. Veçanërisht, shumë vajza dhe gra kanë pasur mundësi të shkojnë në shkollë dhe universitet.

E ardhmja e tyre tashmë është e pasigurtë. Shumë prej tyre po mundohen ta lëshojnë vendin në vend se të jetojnë të nënshtruar nga regjimi strikt i ligjeve të Sheriatit nga talebanët, shkruan BBC.

Sa njerëz kanë vdekur prej vitit 2001?

Njëzet vjet luftë kanë shkaktuar vdekjen e shumë luftëtarëve të të dy palëve në Afganistan dhe në shtetin fqinj të Pakistanit. Qytetarët gjithashtu janë përfshirë në konflikt –duke rënë pre e bombardimeve dhe sulmeve talebane.

Numri i vdekjeve të qytetarëve më 2021 ishte dukshëm më i lartë se sa në periudhën e njejtë më 2020, para se talebanët ta merrnin kontrollin në gjithë vendin.

Kombet e Bashkuara ia atribuuan ngritjen në numrin e vdekjeve të qytetarëve përdorimit të mjeteve të improvizuara eksplozive dhe vrasjeve të qëllimshme.

Gratë dhe fëmijët përbëjnë 43% të vrasjeve qytetare në Afganistan më 2020.

Cili është numri i atyre që i ikën luftës?

Vitin e kaluar, më shumë se 400,000 janë zhvendosur për shkak të konfliktit. Prej vitin 2012 rreth 5 milionë persona i kanë lënë shtëpitë e tyre dhe nuk kanë mundur të kthehen. Sipas agencisë për të drejtat e njeriut të Kombeve të Bashkuara, Afganistani zë numrin e tretë në botë për popullatën më të zhvendosur.

Shumë vajza që ndiqnin shkollën

Rënja e regjimit taleban ka hapur rrugë për ndryshime të dukshme dhe zhvillim në fushën e të drejtave të grave dhe arsimimin e tyre. Më 1999, nuk ka pasur as një vajzë të vetme të regjistruar në shkollë të mesme të ulët, dhe vetëm 9,000 ndiqnin shkollën fillore.

Deri në vitin 2003, numri u ngrit duke arritur 2.4 milionë vajza që ndiqnin shkollën. Ky numër tani arrin rreth 3.5 milionë dhe afro një e treta e studentëve në universitetet publike dhe private janë gra.

Talebanët thonë se ata nuk e kundërshtojnë më arsmimin e vajzave, mirëpo sipas “Human Rights Ëatch” shumë pak zyrtarë talebanë në të vërtetë e lejnojnë shkollimin e vajzave pas moshës së pubertetit nëpër krahinat që ata i kontrollojnë.

Më shumë mundësi për gratë

Gratë gjithashtu kanë qenë aktive në jetën publike, duke mbajtur pozita nëpër zyre politike dhe duke u angazhuar në mundësi biznesi. Më shumë se 1,000 gra afgane patën nisur biznesin e tyre deri më 2019, të gjitha këto aktivitete dikur të ndaluara nga talebanët.

Kushtetuta gjithashtu ka ndryshuar duke thënë se gratë duhet t’i zënë të paktën 27 % të ulëseve në parlament. Rrjedhimisht, në korrik ato mbanin 69 ulëseve prej 249-ve në tërësi.

Si ka ndryshuar jeta në aspekte të tjera?

Qasja në telefonat mobilë dhe në internet është rritur, ndryshe prej problemeve të tjera infrastrukturore në vend.

Më shumë se 8.6 milionë persona –rreth 22% e popullsisë– kanë pasur qasje në internet në janar të 2021-tës dhe miliona persona tashmë përdorin rrjete sociale.

Përdorimi i telefonave mobil gjithashtu ka vazhduar të rritet; rreth 68% të qytetarëve tashmë posedojnë një telefon mobil.

Së fundmi, në Kabul ku kodrinat kanë qenë të mbushura me shtëpi dhe vendbanime tradicionale, pamja e qytetit ka ndryshuar gjatë 20 viteve të fundit. Tashmë ajo përmban lëmshe të ndërtesave të larta të cilat strehojnë një numër në ngritje të banorëve në qytet.

Lajmin e plotë mund ta gjeni këtu.