Shtyhet seanca për rastin e Tropikë Agajt, shkak ekspertiza jo e plotë financiare

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, më 20.05.2024 është mbajtur seanca gjyqësore lidhur me rastin e Tropikë Agajt, paditëses së Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë.

Gjatë zhvillimit të seancës së kryesuar nga gjyqtari Hysni Ismaili, ekspertja financiare Mihrije Morina, ka prezantuar ekspertizën financiare lidhur me shumën që e paditura “Universiteti i Prishtinës” kërkohet t’ia kompensojë në emër të pagave dhe përfitimeve të tjera të humbura paditëses Agaj. Në bazë të ekspertizës ka rezultuar se e paditura duhet t’ia kompensojë paditëses shumën prej 21,079.69 euro bruto.

Por, kjo ekspertizë është kundërshtuar nga Emanuel Gjoleka, në cilësinë e të autorizuarit nga pala e paditur- Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Gjoleka tha se pjesë e kësaj ekspertize “do duhej të ishte edhe Ligji për paga”, meqë sipas tij, ka ndryshuar vlera e koeficientit për thirrjen asistent.

Ekspertja e rastit deklaroi se ekspertizën e ka bazuar në Rregulloren për të Ardhura Personale të Personelit Akademik dhe se nuk e ka marr për bazë edhe Ligjin e Pagave për Zyrtarët Publik.

Ndër tjera, ajo theksoi se ka “shkuar në bazë të Rregullores” dhe se s’ka “vërejt ndonjë dokument shtesë ose ndonjë aneks që ka ndonjë ndryshim për këto pozita”.

I autorizuari i paditëses, Tropikë Agaj, avokati Taulant Q. Hajdari, e kundërshtoi propozimin për të bërë plotësimin e ekspertizës nga i autorizuari i të paditurës për faktin se, sipas tij, “ekspertja gjatë caktimit të ekspertizës është konsultuar mjaftueshëm me legjislacionin në fuqi”.

Megjithatë, Gjykata konstatoi se meqenëse ekspertja ka deklaruar se “mendimin dhe konstatimin e ekspertizës e ka bazuar në Rregulloren që është në fuqi”, dhe se nuk e ka marr për bazë edhe Ligjin për Paga për Zyrtarët Publik, i cili parasheh koeficientin e ndryshëm dhe shumë tjetër, atëherë seanca të vazhdohet vetëm pasi që të bëhet plotësimi i ekspertizës.

Paditësja Tropikë Agaj e ka paditur UP-në me datë 07.03.2022, duke ju drejtuar Gjykatës që ta detyroj Senatin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” që të anulojë Vendimin me nr. Prot. 49, të datës 14.05.2022 dhe që të njëjtën ta detyrojë të nxjerr vendim me të cilën e aprovon ankesën e paditëses dhe ta zgjedh në pozitën e asistentes në Fakultetin e Shkencave Matematikore Natyrore.

Shkak i ngritjes së padisë ishte që Senati i Universitetit të Prishtinës, më 17.01.2022 kishte nxjerrë vendimin me anë të të cilit është refuzuar që Tropikë Agaj, paditësja në këtë rast, të emërohet në thirrjen akademike- asistente.

Për rastin në fjalë edhe njëri nga profesorët e UP-së, Shpejtim Bulliqi, në një e-mail që ia ka drejtuar rektoratit të UP-së, e të cilin e ka siguruar Kallxo.com, ka ‘rekomanduar’ një kandidat për asistent. Për Kallxo.com, ai ka thënë se nuk ka tentuar ushtrim të ndikimit, por thjesht ka treguar ‘një të vërtetë’, pasi ai vet si profesor e ka kërkuar asistentin.