Shtyhet përsëri deklarimi i Borrellit për takimin Kurti-Vuçiq

Deklarata e përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, për takimin mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit, Aleksandar Vuçiq, është shtyrë përsëri.
Kështu ka bërë të ditur në një komunikatë për media, Margot Raskine, asistente për media për Politikë të Jashtme dhe Siguri në BE.

“Deklarata për shtyp e Përfaqësuesit të Lartë/Zëvendëspresidentit Borrell tani parashikohet më shumë rreth orës 14:15” – ka thënë ajo.

Deklarata e Borrell ishte paralajmëruar se do të mbahet në ora 13:30.

Takimi i 18 gushtit shënon herën e tretë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq negociojnë në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Fillimisht ka pasur takime dypalëshe midis përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe liderëve. Takimi midis Kurtit dhe Borrellit është mbajtur nga ora 09:30, ndërkaq në 10:00 shefi i diplomacisë evropiane është takuar me Vuçiqin.

Pas takimeve dypalëshe, Borrell tha se është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin drejt normalizimit të plotë të raporteve.

“Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë dëshmuar sërish se është koha të lëvizim drejt normalizimit të plotë. Pres që të dy liderët të jenë fleksibil dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët” – shkroi Borrell në Twitter.

Pas këtij takimit trepalësh, mund të ketë përsëri takime dypalëshe, sipas nevojës.

Në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian më herët është bërë e ditur se takimi trepalësh do të fokusohet në rrugën përpara në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.