Takimi mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Foto: Albin Kurti Twitter

BE fton Kurtin e Vuçiqin në takim

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë marrë ftesë nga Bashkimi Evropian për t’u takuar ditëve në vazhdim.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano ka thënë se BE i ka dërguar ftesa kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq për një takim të nivelit të lartë.

“Ne i kemi ftuar presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti të vinë në Bruksel për një takim të nivelit të lartë dhe ne shpresojmë që ky takim do të ndodhë shumë shpejtë. Ne i ftuam të dy palët për shkak të urgjencës për të gjetur një zgjedhje evropiane për situatën aktuale, e cila është një nga situatat në serioze që e kemi parë që nga 2013-të dhe ky është qëllimi t’i kemi ata, të diskutojmë dhe të gjejmë rrugën për të dalë nga kjo situatë” – thuhet në njoftimin e BE-së përmes zëdhënësit të saj, Peter Stano.

KALLXO.com ka kontaktuar Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.

Takimi i fundit i nivelit të lartë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq ka qenë ai i datës  18 gusht.

Deri më tani në nivel të lartë, me ndërmjetësimin e BE-së, Kurti dhe Vuçiq janë takuar vetëm 3 herë.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se është i gatshëm për takime, sa herë që ftohen nga BE.

Aktualisht Kosova po përballet më një situatë ku serbët në veri kanë vendosur të largohen nga institucionet e Kosovës për të kundërshtuar vendimin e qeverisë për konvertimin e targave nga ato ilegale në RKS.

BE dhe SHBA kanë propozuar shtyrjen për 10 muaj të këtij vendimi, mirëpo qeveria ka bërë vetëm shkallëzimin e tij.

Sipas vendimit të qeverisë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të jenë targat provuese për dy muaj të tjerë, dhe nga  21 prilli nuk mund të ketë më targa ilegale.