Hoti kritikon Kurtin: Kjo qasje nuk shpie askund

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka reaguar pas dështimit për t’u arritur një marrëveshje sot në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Hoti ka thënë se duhet të dëgjohet SHBA, e cila kërkon nga Qeveria e Kosovës shtyrje të vendimit për konvertimin e targave.

“Në vend që të dëgjohen këshillat e amerikanëve lidhur me vendimin për targat, negociohet me Serbinë në Bruksel. Në vend që t’iu lihet kjo punë në dorë amerikanëve dhe të ndiqen këshillat e tyre për të përmbyllur dialogun, krijohen tensione në teren pavarësisht se Kosova është në të drejtën e saj për të zbatuar ligjshmërinë” – ka shkruar Hoti.

Sipas Hotit qasja të cilën është duke përdorur Kurti nuk ‘nuk shpien askund’.

“Edhe pse Kosova është në të drejtën e saj kur insiston në vendosjen e ligjshmërisë, kjo qasje na kthen prapa tek dialogu teknik për kthim të serbëve në institucione, tek dialogu për menaxhim të situatave, e jo dialog për marrëveshje finale për njohje reciproke. Kjo situatë i përshtatet Serbisë, jo neve”, ka theksuar ai.

Sot, pas më shumë se pesë orësh takim, kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje në Bruksel.

Kryediplomati evropian, Josep Borrell, tha sot se Bashkimi Evropian ka dhënë një propozim sot i cili është refuzuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe është pranuar nga presidenti serb, Akesandar Vuçiq.

Borrell tutje tha se do t’i njoftojë vendet anëtare të BE-së për mosrespektimin e detyrimeve nga palët, duke shtuar se “kjo vlen veçanërisht për Kosovën”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell, ka hequr dorë nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.Kurti tha se Borrell ka hequr dorë nga afati i marsit të vitit 2023 si datë përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve mes vendeve.