Lajçak i pasigurt nëse do të ketë takim Kurti-Vuçiq në shtator

Përfaqësuesi i Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se janë duke bërë përgatitjet për një takim të nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Takimi i radhës do të mbahet posa të përfundojnë përgatitjet, kjo është një nga qëllimet që jam këtu sot, duam të sigurohemi që takimi do të ketë substancë dhe do të prodhojmë diçka. Gjëja e rëndësishme është që liderët janë gati të takohen, BE është e gatshme të jetë nikoqire, por jemi duke përgatitur agjendën” – tha Lajçak pas takimit të sotëm të paparalajmëruar me kryeministrin Kurti.

Lajçak tha që nuk do të vonohen 13 muaj për një takim të ardhshëm të nivelit të lartë.

“Nuk do të marrë 13 muaj, ju siguroj, nëse do të jetë në shtator nuk jam i sigurte, për shkak të asamblesë së përgjithshme të OKB-së dhe unë do të jem në New York, presidenti Vuçiq do të jetë atje dhe ne jemi duke punuar për datën dhe agjendën” – tha ai.

Lajçak tha që pas Prishtinës do të udhëtoj; në Bruksel, ndërsa javën e ardhshme do ta takojë Vuçiq në New York.

Pa ndonjë paralajmërim, emisari Lajçak sot ka takuar kryeministrin Kurti.

Lajçak qëndroi të premten në Kosovë së bashku me Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, këshilltarët për Polikë të Jashtme dhe Siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

18 gushti ka qenë data e fundit kur në Bruksel, pas më shumë se një viti pa takime, janë takuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pas këtij takimi i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për dialogun Kosovë-Serbi, Gaberiel Esocbar tha që palët kanë rënë dakord të takohen në baza mujore.

“Një nga rezultatet është se të dy liderët u pajtuan të takohen në baza mujore, dhe më duhet të them se takimi mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq ka qenë shumë i mirë, dhe profesional. Mendoj se mund ta shohim fillimin e një raporti të përmirësuar mes të dyve” – ka thënë Escobar në një intervistë për N1.

Takimi i 18 gushtit ka qenë takimi i 3-të i nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

S’ka datë të konfirmuar për takimin e radhës Kurti-Vuçiq të paralajmëruar për shtator