Shtetet baltike dhe Bullgaria i dëbojnë 20 diplomatë rusë

Bullgaria dhe tri shtetet e Baltikut, Estonia, Lituania dhe Letonia do t’i dëbojnë 20 diplomatë rusë, njoftuan të premten ministritë e tyre të jashtme.

Estonia do t’i dëbojë tre diplomatë rusë, duke deklaruar se ata “kanë minuar drejtpërdrejt dhe në mënyrë aktive sigurinë e Estonisë dhe kanë përhapur propagandë që justifikon luftën e paligjshme të Rusisë”.

Katër punonjës të ambasadës ruse në Lituani do të duhet të largohen nga vendi brenda pesë ditësh, tha Ministria e Jashtme e Lituanisë.

“Sulmet ushtarake të Rusisë ndaj civilëve, objekteve civile, spitaleve, shkollave, materniteteve dhe objekteve kulturore janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Shërbimet speciale ruse janë të përfshira në mënyrë aktive në organizimin e këtyre krimeve kundër popullatës paqësore të Ukrainës, kështu që ne nuk duam që përfaqësuesit e këtyre strukturave të shkelin në tokën tonë dhe të përbëjnë një kërcënim për sigurinë kombëtare të Lituanisë”, tha ministri i Punëve të Jashtme Gabrielius Landsbergis.

Ministri i Punëve të Jashtme të Letonisë, Edgars Rinkēvičs tha se tre diplomatë rusë do të dëbohen me arsyetimin se aktivitetet e tyre ishin “të papajtueshme me statusin e tyre diplomatik”.

Njëkohësisht edhe qeveria bullgare njoftoi dëbimin e dhjetë diplomatëve rusë të premten për “aktivitete që nuk janë në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”, sipas një deklarate nga Ministria e Jashtme.

Kjo formulë përdoret shpesh për t’i raportuar aktivitetet e spiunazhit. Diplomatët duhet të largohen nga Bullgaria brenda 72 orëve.

Dy diplomatë rusë ishin dëbuar tashmë në fillim të marsit për një arsye të ngjashme.

Bullgaria, anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, mban tradicionalisht marrëdhënie të ngushta ekonomike me Rusinë, por që nga tetori i vitit 2019, disa raste spiunazhi kanë shkaktuar tension në këtë vend.

Me njoftimin e së premtes, tashmë 20 diplomatë rusë dhe një asistent teknik në ambasadë janë dëbuar gjithsej gjatë dy viteve e gjysmë të fundit./Euronews