Shqipëri, qytetarët protestojnë pas vrasjes së të riut nga policia

Qytetarët protestuan në Tiranë në protesta të organizuara nëpër rrjetet sociale, duke kërkuar drejtësi dhe duke hedhur në disa raste thirrje për dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj. Protestat u shkaktuan nga vrasja e të riut Klodjan Rasha, 25 vjeç, nga një oficer policie natën vonë, kur Rasha kishte shkelur urdhrin e qeverisë për ndalimqarkullimin pas orës 10 të mbrëmjes dhe nuk iu ishte bindur urdhrit të policisë për të ndaluar.

Ministri Lleshaj deklaroi në Facebook se ai “e ndjen fort” dhimbjen që kanë prindërit dhe familjarët e Rashës ndërsa Policia e Shtetit shprehu ngushëllime.

Lleshaj bëri thirrje për hetim të shpejtë të ngjarjes.

Oficeri i policisë që qëlloi mbi të riun është arrestuar nga prokuroria dhe pritet të përballet me akuzën e vrasjes në tejkalim të mbrojtjes personale. Policia ka pranuar se përdorimi i armës prej tij u krye jashtë ligjit përkatës.

Policia shqiptare nuk ka një histori të dhunës mbi qytetarët tashmë që prej dy dekadash, por disa ngjarje gjatë vitit të fundit janë parë si paralajmërime që  gjërat po ndryshojnë për keq. Nën drejtimin e ministrit Lleshaj, një ish-gjeneral i ushtrisë, policia ka bombarduar me gaz lotsjellës në dy raste shtëpitë e qytetarëve në përpjekje për t’i përzënë ata për t’i hapur rrugën shembjeve, të cilat zhvillohen në një kontekst kontrovers ligjor në Shqipëri, pa kompensim ose me kompensim shumëfish më të ulët se sa vlera e tregut, gjë që i nxjerr qytetarët praktikisht të pastrehë.

Policia e shtetit u vu gjithashtu nën kritika majin e kaluar pasi oficerët e saj rrahën një 15 vjeçar që kishte shkelur ndalimqarkullimin, ndërsa drejtori i policisë Ardi Veliu u duk se po përpiqej të justifikonte dhunën duke gërmuar profilin e medias sociale të mamasë së 15 vjeçarit në kërkim të baltosjes familjare të tij.