Ilustrim

Shqipëri, 11 të vdekur dhe 223 të prekur nga COVID-19

Ka shkuar në 223 numri i të prekurve me coronavirus në Shqipëri ndërsa numri i viktimave në 11, raporton Top Channel.

Në 24 orët e fundit janë testuar 90 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 11 raste të reja me COVID-19.

Deri në këto momente janë testuar 1526 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me këtë virus 223 raste, njofton Ministria e Shëndetësisë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv një pacient 79-vjeçar nga Tirana. 79-vjeçari me inicialet B.H. ishte prej 18 ditësh i shtruar në spitalin infektiv. I moshuari ishte përmirësuar ditët e fundit por ndërroi jetë nga një infarkt kardiak. 79-vjeçari është viktima e 11 e prekur nga COVID-19 në Shqipëri.

Sipas tyre, në shërbimin infektiv aktualisht janë 74 të shtruar. Prej tyre 7 janë në terapi intensive nga të cilët 4 janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Ndërkohë në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi” është një pacient i shtruar.

Janë 4 të shëruar në 24 orët e fundit dhe deri tani 44 të shëruar pas testeve të kontrollit të kryera kanë rezultuar negativë.