Shpërthim në Fushë Kosovë

Sot rreth orës 06:00 ka ndodhur një shpërthim në rrugën “Shefki Kuleta”në Fushë Kosovë.

Policia rajonale e Prishtinës ka konfirmuar për KALLXO.com se bazuar në të dhënat fillestare nuk raportohet për persona të lënduar, janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

“Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore të cilat po merren me rastin”, thuhet në përgjigjen e organeve të rendit.

Rasti është cilësuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, dhe po trajtohet nga njësitet përkatëse.

Gazetari i KALLXO.com raporton se policia tashmë është larguar nga vendi i ngjarjes pasi ka marrë me veti provat materiale.

Ende nuk ka detaje se cilat ishin  rrethanat e kësaj ngjarje dhe cilat mund të kenë qenë motivet e shpërthimit.