SHKK: I dyshuari për dhunimin e 11-vjeçares nuk është sulmuar, u dërgua në Burgun e Sigurisë së Lartë për çështje sigurie
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se i dyshuari për dhunimin e 11-vjeçares nuk është sulmuar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, por është dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë për të parandaluar ndonjë sulm të mundshëm.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se i dyshuari për dhunimin e 11 vjeçares E.R asnjehere nuk është sulmuar/rrahur në Qendrën e Paraburgimit Prishtinë, i njejti është dërguar në Burgun e Sigurisë se Lartë për çështje të sigurisë së tij dhe për të parandaluar ndonjë sulm të mundshëm, për shkak të veprës për të cilën dyshohet”- thuhet në njoftim.
SHKK më tej potencon se videoja e shpërndarë në disa portale që pretendon rrahjen e një prej të dyshuarve për përdhunimin e të miturës nuk është personi në fjalë, por i dyshuari tjetër për të njëtën vepër.
“Ndërsa, sa i përket videos së publikuar në disa portale me titull: ‘ Del video që pretendon se një nga të dyshuarit për përdhunimin është rrahur nga të burgosurit’, SHKK njofton se personi në fjalë nuk është i dyshuari E.R, por është i dyshuri tjeter për të njëjten veper, SH.K, i cili është në mbajtje në Qendren e Paraburgimit në Pejë, dhe i cili po ashtu nuk është sulmuar, por ka marr shërbime shëndetësore në Spitalin e Pejës”- thuhet më tej në njoftim.