Shkatërrohen qindra armë nga Policia e Kosovës

Rreth 1 mijë e 500 armë të ndryshme janë shkatërruar sot nga Policia e Kosovës.

Armët që u konfiskuan nga ana e policisë, u shkrinë sot, ndërsa materiali që u përfitua nga shkrirja do të përdoret për krijimin e kapakëve për puseta.

Sipas Policisë së Kosovës, këto armë që u shkatërruan sot u përdorën nga qytetarë në vepra të ndryshme penale.

Shkatërrimi i tyre u lejua nga gjykata, pasi që për të njëjtat kanë përfunduar të gjitha procedurat gjyqësore.

Armët e shkurta e të gjata fillimisht u përgjysmuan nga një sharrë, e te njëjtat më pas u vendosën në furrë.

Pas shkrirjes ato u vendosën në një kovë, e krejt në fund të procesit materiali i fituar u shpërnda në kallëp në të cilët do të krijohen kapakët e pusetave.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës është thënë se në baza vjetore konfiskohen mesatarisht rreth 1,500 armë të llojeve të ndryshme, municion të kalibrave të ndryshëm si dhe mjete të ndryshme plasëse, duke përfshirë edhe eksplozivët artizanalë.

Aktiviteti që u organizua sot u mbështet nga Bashkimi Evropian si dhe përmes mbështetjes nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë- Programit të Kosovës për Siguri  (KSSP) si dhe SEESAC.