Shkarkohet kryeshefi i Ndërmarrjes 'Pastrimi' në Han të Elezit, e quan hakmarrje politike - DOKUMENT

Irfan Suma tashmë ish-kryeshefi i Ndërmarrjes “Pastrimi” në Han të Elezit është shkarkuar nga bordi i drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Shkarkimi i Sumajt u vendos në një mbledhje të bordit të mbajtur pesë ditë më parë, ndërsa vendimi të cilin e ka siguruar KALLXO.com mban datën e ditës së sotme.

Një arsyetim i bordit të drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Pastrimi” në Han të Elezit, thotë se pas ardhjes së qeverisë së re në këtë komunë është vërejtur edhe mos koordinimi dhe funksionalizimi i kësaj ndërmarrje me qeverisjen.

“Nuk më kanë lajmëru, e kanë mbajt mbledhjen pa asnjë dijeni i kanë qit do shkaqe edhe në fund mua më vjen vetëm vendimi. Unë mandat kam pasur deri në mars, më kanë shkarkuar para kohe dhe pa ndonjë arsye”, thotë Irfan Suma, i kontaktuar nga KALLXO.com.

 

Vendimi i bordit të drejtorëve të Ndërmarrjes ‘Pastrimi’ në Han të Elezit, Foto: KALLXO.com

Tutje ai shtoi se veprimi i bordit është hakmarrje politike.

“Kjo është hakmarrje politike nga kryetari e nënkryetari. Hakmarrje politike se kam qenë i emëruar në kohën e Rufki Sumës”, shtoi tutje Suma.

Sipas tij lidhja familjare me ish-kryetarin e Hanit të Elezit Rufki Suma është e largët.

Gjithashtu Suma përmend edhe faktin se bordi që e ka shkarkuar e kishte vlerësuar viteve të kaluara me nota të mira.

“I njëjti bord për tri vite radhazi më ka notu me nota të gjitha pesë për punët që i kam kry në kompaninë pastrimi dhe tash del që unë nuk kam koordinim”, përfundon Irfan Suma.

Në lidhje me pretendimet e Irfan Sumës, KALLXO.com ka kontaktuar edhe Kryesuesen e Bordit Albulena Kuka- Ballazhi.

Në një bisedë telefonike ajo pranoi se kanë shkarkuar kryeshefin pas ankesave të qeverisjes së re në Han të Elezit.

“Po me ardhjen në pushtet të kryetarit të ri, nuk i ka plotësu ato që janë kërkuar dhe jemi detyruar ta shkarkojmë. Nuk ka bashkëpunu me ta, kanë kërkuar me dalë me i pastru rrugët, nuk ka marrë asnjë masë që i është kërkuar”, thotë Kuka- Ballazhi.

Kuka- Ballazhi nuk komenton deklaratën e Sumës, se shkarkimi i këtij të fundit është bërë për shkaqe politike.

Suma ishte emëruar në krye të Ndërmarrjes “Pastrimi” më 1 prill të vitit 2019.

Në atë kohë në qeverisje ishte Rufki Suma si kandidat i pavarur, i cili qeverisi për vite të tëra e që në zgjedhjet e fundit doli i dyti pas kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Mehmet Ballazhi.