Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dyshime për konflikt interesi, Komisioni i kryetarit përzgjedhi motrën e tij për punësim

Motra e kryetarit të Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, është punësuar si edukatore kopshti për fëmijët e moshës 3-6 vjeç në Institucionit Parashkollor “Ardhmëria” në Han të Elezit. Vendimi për ta përzgjedhur në këtë pozitë është marrë nga një komision i përzgjedhur nga vet kryetari.

Motra e Ballazhit, Latifete Fida, është përzgjedhur kandidatja më e suksesshme në konkursin që ishte shpallur më 30 shtator 2022. Se Fida është motra e kryetarit Ballazhi, e ka pranuar edhe vet ai.

“Po motra më e vogël, e imja është”- ka deklaruar Ballazhi për KALLXO.com.

Kryetari Ballazhi ka deklaruar se Komisioni përzgjedhës e ka bërë vlerësimin e kandidatëve për edukatore.

“Po, tash unë nuk e di as qysh është se s’jam në dijeni se është komisioni që merret….Nuk është punë e imja”- ka përmbyllur Ballazhi.

KALLXO.com ka siguruar edhe dokumentin për themelimin e Komisionit përzgjedhës në konkursin për edukatore në Han të Elezit. Dokumenti mban datën 14 nëntor 2022 dhe nënshkrimin e kryetarit të Komunës së Hanit zë Elezit, Mehmet Ballazhi, si formues i këtij Komisioni me pesë anëtarë që ka përzgjedhur motrën e tij për edukatore.

Në testin me shkrim që është mbajtur më 29 nëntor, Latifete Fida, ka qenë më e poentuara me 64 pikë, ndërsa pas intervistës me gojë që është zhvilluar më 8 dhjetor 2022, Fida ka arritur 135 pikë, duke u përzgjedhur si kandidatja më e suksesshme për pozitën e shpallur.

Kreu i Komunës së Hanit të Elezit ka thënë se nuk ka pasur ndikim në përzgjedhjen e motrës së tij në pozitën e edukatores.

“Nuk ka pas ndikim. Për zhvillimin e procedurave gjithçka është në rregull, sepse e kam pyetur edhe ish-anëtaren e personelit që ka qenë edhe kryetare e komisionit në bordin e drejtorëve pasi që gjithçka ka shku në rregull nuk ka ndonjë problem” – ka thënë kryetari.

Edhe pse Komisioni të cilin e ka formuar ai e ka përzgjedhur motrën e tij si kandidaten më të suksesshme për edukatore, ai ka thënë për KALLXO.com se nuk ka konsultuar zyrtarët ligjorë nëse kjo përbën konflikt interesi. Ballazhi po ashtu ka deklaruar se nuk i ka shkuar ndërmend që t’ia kalojë kometencat dikujt tjetër për formim të Komisionit përzgjedhës.

“Nuk jam konsultu (me zyrën ligjore), nuk më ka shku mendja me ja kalu kompetencat dikujt tjetër. Po dua të besoj që komisioni e bënë punën e pavarur” – ka shtuar ai.

I pari i Hanit të Elezit e ka potencuar prapë se në konkurs nuk ka pasur ndonjë ndikim por që nëse ka shkelje mund të veprojë gjykata.

“Është tjetër gjë se çka mendoj dhe se çka është e drejtë, nëse është bërë ndonjë shkelje ligjore apo diçka ndoshta funksion gjykata, të gjitha institucionet tjera gjyqësore por unë nuk besoj që ka mundur dikush të ndikojë, së paku në këtë jam shumë i kujdesshëm mos me pas ndikime” – është shprehur ai.

Për një çështje të ngjashme, kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, është shpallur fajtor për konflikt interesi nga Gjykata e Pejës dhe është dënuar me 4 mijë euro gjobë më 1 dhjetor 2021.

Sipas Prokurorisë së Pejës, ai akuzohej se edhe pse e kishte ditur që vajza e tij ka për të aplikuar në konkursin e datës 2 shkurt 2018, ka formuar Komisionin për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies se punës lidhur me po të njëjtin konkurs.

Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar, kishte përzgjedhur vajzën e kryetarit si më të suksesshmen, duke e punësuar atë në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë.