Ilustrim

Shefi i Policisë flet për tenderët e Ministrisë së Shëndetësisë

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti është pyetur gjatë emisionit të KALLXO.com edhe për veprimet hetimore në drejtim të tenderëve të dhënë nga Ministria e Shëndetësisë.

Mehmeti tha se nuk ka informata konkrete rreth këtyre rasteve, por shtoi se do të përkushtohet për të kërkuar llogari ndaj të gjithë stafit policor që ta kryejnë punën e tyre.

“Nuk kam informata konkrete rreth këtyre tenderëve, mirëpo a janë këta apo të tjerë tenderë, dhe cilatdo veprime hetimore të jenë përkushtimi jonë është me pasë efikasitet. Sikurse edhe të grabitjet, krimet ekonomike e të tjera, unë jam i përkushtuar me lyp llogari të çdo polic, duke fillu prej meje si u.d. dhe duke vazhdu të polici i fundit. Të gjithë duhet të jenë të përgjegjshëm, llogaridhënës dhe me arsyetu punën e vet”, tha ai.

Me tenderët e Ministrisë së Shëndetësisë që janë dhënë gjatë kohës së pandemisë po merret edhe një komision hetimor.

Kurse, Prokuroria Speciale ka nisur edhe hetime në muajin tetor.

KALLXO.com kishte raportuar me rastin e nënshkrimit të kontratës për blerje të maskave nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

www.kallxo.com