Shefi i Njësive Speciale vazhdon të mbetet në suspendim

Shefi i Njësive Speciale, Amir Gërguri gjithashtu edhe një zyrtar tjetër policor vazhdojnë edhe sot të mbeten në suspendim pasi janë duke u hetuar në lidhje me rastin e ahengut të organizuar ku morën pjesë edhe vëllau i Presidentit Hashim Thaçi por edhe zyrtarë të burgjeve e edhe persona të tjerë.

Lajmin e ka konfirmuar Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj në një deklarim para gazetarëve pas përfundimit të komisionit për çështje të sigurisë.

“Unë mund të flas vetëm sa i përket kolegëve që janë suspenduar të policisë pra. Mund të ju konfirmoj që ende janë në suspendim dhe hetimi për këtë rast është ndarë në dy pjesë pra hetimi penal që po bëhet nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës dhe pjesa tjetër nga IPK”, tha Qalaj.

Shefi i Njësive Speciale dhe zyrtari tjetër policor së bashku me Drejtorin e Burgut të Dyzit, Burim Buleshkaj u suspenduan vetëm pak ditë pas organizimit të ahengut pasi u shpërndanë disa fotografi në rrjete sociale ku shihej se të njëjtit përveç që kishin thyer masat e vendosura nga ana e Qeverisë së Kosovës për mos organizim të ahengjeve të tilla por të njëjtit shiheshin edhe duke mos mbajtur distancën sociale për shkak të pandemisë COVID-19.

KALLXO.com ka raportuar edhe se në të njëjtin aheng ishin përdorur edhe armët. 47 gëzhoja janë gjetur në po të njëjtin lokacion ndërsa këtë informacion e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe Drejtoresha e Policisë së Rajonit të Mitrovicës, Afërdita Mikullovci.

Birra me vëllain e Hashim Thaçit, suspendohet Amir Gërguri

Në ahengun ku ishte vëllai i Hashim Thaçit, u përdorën edhe armët