Në ahengun ku ishte vëllai i Hashim Thaçit, u përdorën edhe armët

Muajin e kaluar në një aktivitet ku të pranishëm ishin vëllai i presidentit Thaçi, Shefi i Njëisve Speciale, Amir Gërguri, Drejtori i Burgut të Dyzit, Burim Buleshkaj e persona të tjerë ishin përdorur edhe armët.

47 gëzhoja janë gjetur në të njëjtin vend pra ku është bërë organizimi i aktivitetit.

Në lidhje me këtë rast, Drejtoresha e Policisë në Mitrovicë, Afërdita Mikullovci ka thënë për KALLXO.com se janë konfiskuar dy armë de janë gjetur 47 gëzhoja të cilat janë ekzaminuar ndërsa rezultatet priten të dalin javën tjetër.

“Janë konfiskuar dy armë dhe janë gjetur 47 gëzhoja Këto gëzhoja janë dërguar në ekspertizë ndërsa armët për shkak se janë konfiskuar më vonë se gëzhojat gjatë një bastisje në Podujevë, pastaj kemi pritur për të marrë urdhrin nga Gjykata për të shkuar në ekpertizë. Jemi duke pritur për finalizim të rastit po besoj se javën tjetër dalin edhe rezultatet e ekspertizës”, tha drejtoresha Mikullovci.

Ajo shtoi se armët janë të një qytetari që ka qenë pjesë e aktivitetit të organizuar.

“Armët janë të një qytetari të asaj zone. Realisht janë armë që edhe janë parë në fotografi. Dhe armët i takojnë në bazë të fotografive dhe dëshmive të mbledhura i takojnë personit të cilën e kemi parë edhe në fotografi e ato foto”, shtoi ajo.

Tutje ajo mohoi se ndonjë nga armët ka qenë pronë e familjes Thaçi pra të presidentit.

“Asnjëra armë nuk janë të ndonjë prej politikanëve siç është thënë nga një medium tjetër sepse e kanë keqinterpretuar, nuk ka të bëjnë armët me anëtarët apo familjarët e politikanëve, janë armë të një qytetari të rëndomt që nuk kanë të bëjnë me anëtarët e familjes Thaçi apo Remi siç edhe kanë raportuar”, tha drejtoresha Mikullovci.

Kujtojmë se më 21 prill të muajit të kaluar, Komandanti i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, Amir Gërguri dhe Drejtori i Burgut të Sigurisë së Lartë në Dyz, Burim Buleshkaj janë suspenduar nga puna pasi që të njëjtit kishin marrë pjesë në këtë aktivitet ani pse ka pasur një vendim që të anulohen këto aktivitete për shkak të pandemisë COVID-19.

KALLXO.com mëson se një pistoletë 9 milimetërsh prodhim jugosllav dhe një armë e gjatë prodhim amerikan janë konfiskuar gjatë një bastisje në një fshat të Podujevës pasi që të njëjtat armë ishin parë në fotografitë  e publikuara nga persona të cilët kanë marrë pjesë në aktivitet.

KALLXO.com mëson se rasti i policve është ende duke u hetuar nga ana e IPK-së.

Në lidhje me këtë rast në një intervistë për Drejtësia në Kosovë, Kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqiri Syla kishte konfirmuar se ndaj të gjithë personave pjesëmarrës në këtë aktivitet është hapur rast.