Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Shefi i NATO-s ka frikë se lufta në Ukrainë mund të shndërrohet në një konflikt më të gjerë

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, shprehu shqetësimin se luftimet në Ukrainë mund të dalin jashtë kontrollit dhe të shndërrohen në një luftë midis Rusisë dhe NATO-s, sipas një interviste të publikuar të premten.

“Nëse gjërat shkojnë keq, ato mund të shkojnë tmerrësisht keq”- ka deklaruar Stoltenberg në një koment për transmetuesin norvegjez NRK.

Sipas Stoltenberg “nuk ka dyshim se një luftë e plotë është një mundësi”, duke shtuar se ishte e rëndësishme të shmangej një konflikt “ku mund të përfshheshin më shumë vende në Evropë dhe të shndërrohet pastaj në një konflikt të plotë në Evropë”.

Kremlini zyrtar i ka akuzuar vazhdimisht aleatët e NATO-s se janë bërë efektivisht një palë në konflikt duke i ofruar Ukrainës armë, duke i trajnuar trupat e saj dhe duke e ushqyer inteligjencën ushtarake për t’i sulmuar forcat ruse.

Në komentet që pasqyronin tensionet në rritje midis Rusisë dhe Perëndimit, Presidenti Vladimir Putin sugjeroi se Moska mund të mendojë për përdorimin e asaj që ai e përshkroi si konceptin e SHBA-së për një sulm parandalues.

“Duke folur për një goditje çarmatosëse, ndoshta ia vlen të mendohet për miratimin e ideve të zhvilluara nga homologët tanë amerikanë, idetë e tyre për ta garantuar sigurinë e tyre”- tha ai.

Shumë kohë përpara luftës në Ukrainë, Kremlini shprehu shqetësimin për përpjekjet e SHBA-së për ta zhvilluar të ashtuquajturën aftësinë e goditjes së shpejtë globale që parashikon goditjen e objektivave strategjikë të një kundërshtari me armë konvencionale të drejtuara me precizitet kudo në botë brenda një ore.

Putin vuri në dukje se një sulm i tillë mund t’i rrëzojë objektet komanduese duke shtuar se ishte i zhgënjyer me komentet e fundit të ish-kancelares gjermane Angela Merkel se një marrëveshje paqeje e vitit 2015 për Ukrainën lindore e negociuar nga Franca dhe Gjermania i kishte blerë kohë Ukrainës për t’u përgatitur për luftën e vitit 2022.

Putin ka argumentuar se deklarata e Merkelit tregoi se Rusia kishte të drejtë në nisjen e asaj që ai e quan “operacioni ushtarak special” në Ukrainë. “Ndoshta duhet ta kishim filluar më herët”- ka shtuar ai.

Putin tha gjithashtu se komentet e saj gërryen më tej besimin e Rusisë në Perëndim, duke komplikuar çdo bisedim të mundshëm për paqen.

“Përfundimisht ne do të duhet të negociojmë një marrëveshje”- tha ai. “Por pas deklaratave të tilla ka një çështje besimi. Besimi është afër zeros. Unë e kam thënë vazhdimisht se jemi gati për një marrëveshje, por kjo na bën të mendojmë, të mendojmë se me kë kemi të bëjmë”.

Në komente të veçanta nëpërmjet video-lidhjes me shefat e mbrojtjes dhe sigurisë të disa vendeve ish-sovjetike, Putin e akuzoi përsëri Perëndimin se përdor Ukrainën si një mjet kundër vendit të tij./Associated Press

Përgatiti: Nuhi Shala