Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog Foto: KALLXO.com
Shefi i BE-së në Kosovë thotë se është i zhgënjyer nga skenat e dhunës në Kuvend
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog i ka quajtur zhgënjyese skenat e dhunës që kanë ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës.
“Kuvendi nuk është vend për sulme fizike, por vend për të diskutuar propozimet dhe politikat në mënyrë demokratike. Diskursi dhe shkëmbimi i ideve janë bazat themelore të një demokracie” – ka shkruar Szunyog në Twitter.
Lidhur me këto ngjarje ka reaguar edhe Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
“Është për të ardhur keq të shoh se çfarë ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës. Do të doja të mos kisha nevojë ta thosha këtë: përdorimi i dhunës nuk është kurrë një mjet i pranueshëm për të shprehur mosmarrëveshje. Në çdo demokraci shpesh ka dallime të forta. Por dallimet duhet të zgjidhen përmes diskursit – një qëllim themelor i çdo legjislativi të demokracisë” – ka shkruar ambasadori amerikan në Twitter.
Sot në kuvend, gjatë kohës sa ishte duke dhënë fjalim kryeministri Albin Kurti ka ndodhur një pëleshje fizike.
E gjithë kjo nisi kur deputetja e PDK-së Ganimete Musliu vendosi një foto në foltoren e Kuvendit, përderisa Kurti po deklarohej, një fotografi të kreut të ekzekutivit më hundë të madhe.
Më pas zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është ngritur nga karriga e tij dhe ka grisur fotografinë.
Pas këtij veprim, deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku i cili hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Kurti dhe zëvendëskryeministrit Bsilimi, në mbrojtje të së cilit erdhi ministri i Financave Hekuran Murati.
Lushtaku shihet duke e shtyrë fizikisht ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun. Ndërkaq deputeti i PDK-së, Hajdar Beqaj shihet duke goditur fizikisht ministrin Murati.
Ndërsa shihet duke e goditur dikë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Pas kësaj, kanë ndërhyrë edhe deputetë tjerë të LVV-së e të PDK-së.