Ilustrim

SHBA, qëllohen për vdekje një gazetar dhe një fëmijë në skenën e vrasjes së një personi tjetër

Një reporter televiziv dhe një vajzë 9-vjeçare janë qëlluar për vdekje pranë qytetin Orlando, në Florida, afër skenës së një vrasjeje tjetër që ndodhi disa orë më parë.

Një gazetar tjetër dhe nëna e vajzës u qëlluan dhe u plagosën nga i njëjti person i armatosur, i cili dyshohet edhe për vrasjen e mëhershme, thotë policia.

Dy gazetarët e ‘Spectrum News 13’ po e mbulonin vrasjen e një gruaje në atë zonë kur i dyshuari adoleshent u kthye në atë lokacion, thotë policia.

Është e paqartë nëse personat  e lartcekur ishin shënjestër e të dyshuarit.

I dyshuari ishte i armatosur në momentin kur u arrestua dhe nuk ishte duke bashkëpunuar me policinë, thanë hetuesit.

‘Spectrum News 13’ e identifikoi reporterin e vrarë si 24-vjeçarin Dylan Lyons dhe fotoreporterin e plagosur si Jesse Walden.

Dy personat e tjerë të vrarë në dy sulmet e së mërkurës në Pine Hills, një periferi në perëndim të Orlandos, nuk janë identifikuar ende.

Në një konferencë shtypi, sherifi i Orange County John Mina deklaroi se gazetarët ishin “në ose pranë automjetit të tyre”, i cili, sipas tij, nuk dukej si automjeti zyrtar i një stacioni televiziv, kur ata u sulmuan rreth orës 16:00 me kohën lokale (22:00 GMT).

Ai shtoi se gazetarët kishin raportuar për të shtëna që kishin nodhur më herët gjatë ditës rreth orës 11:00 me kohën lokale, me ç’rast një grua rreth të 20-ave ishte qëlluar për vdekje brenda një automjeti, kur i dyshuari u kthye në lokacionin ku kishte ndodhur krimi dhe hapi zjarr.

Pasi sulmoi gazetarët, i armatosuri i dyshuar – Keith Moses, 19 vjeç – hyri në një shtëpi aty pranë dhe qëlloi vajzën dhe nënën e saj, tha sherifi.

Nëna ishte në spital në gjendje kritike, shtoi ai.

Gazetarë të tjerë aty pranë ndihmuan në ofrimin e ndihmës së parë për viktimat, sipas reporterëve lokalë.

‘Spectrum 13’ vazhdoi mbulimin e drejtpërdrejtë pasi u njoftua për vdekjen e gazetarit të tyre.

Sipas Sherifit Mina, i dyshuari “ka një histori të gjatë kriminale, duke përfshirë akuzat për armë, bateri të rënda dhe sulm me një armë vdekjeprurëse, vjedhje dhe vjedhje të mëdha”.

I pyetur në lidhje me mundësinë që personi i armatosur t’i ketë shënjestruar qëllimisht gazetarët, Mina tha se “është diçka që do të na duhet ta hulumtojmë më vonë”.

Charter Communications, kompania që zotëron stacionin televiziv, lëshoi një deklaratë duke e quajtur sulmin “një tragjedi të tmerrshme për komunitetin e Orlandos”.

“Jemi thellësisht të pikëlluar nga humbja e kolegëve tanë dhe jetëve të tjera të marra pa kuptim sot”, tha kompania.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, ka ngushëlluar përmes llogarisë në në Twitter, duke thënë: “Zemrat tona janë me familjen e gazetarit të vrarë sot dhe anëtarin e ekuipazhit të plagosur në Orange County, Florida, si dhe të gjithë ekipin e Spectrum Neës”.

Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, në vitin 2022 janë vrarë 40 gazetarë. Vetëm një nga të vrarët ishte në Shtetet e Bashkuara./BBC