SHBA: Palestinezët duhet të qeverisin me Gazën pasi Izraeli ta përfundojë luftën e tij kundër Hamasit 

Palestinezët duhet të qeverisin me Gazën pasi Izraeli të përfundojë luftën e tij kundër Hamasit, kanë thënë Shtetet e Bashkuara të mërkurën, duke e kundërshtuar idenë e kryeministrit Benjamin Netanyahu se Izraeli do të jetë përgjegjës për sigurinë për një kohë të pacaktuar. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të mërkurën nënvizoi në komentet më të plota mbi vijat e kuqe të Uashingtonit dhe pritshmëritë për palestinezët në Rripin e Gazës. “Asnjë riokupim i Gazës pas përfundimit të konfliktit. Asnjë përpjekje për ta bllokuar apo rrethuar Gazën. Asnjë reduktim në territorin e Gazës”- ka thënë Blinken në një konferencë për shtyp në Tokio.

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) Daniel Hagari ka thënë se Hamasi e ka “humbur kontrollin” në Gazën veriore pasi mijëra civilë palestinezë u larguan nga jugu. 

Të paktën 19 persona u vranë në një sulm ajror izraelit në një shtëpi pranë një spitali në kampin e refugjatëve Jabalia të Gazës veriore të mërkurën, sipas ministrisë së brendshme të Gazës.  

Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Rripin e Gazës ka thënë se numri i njerëzve të vrarë në Gaza nga veprimet ushtarake izraelite që nga fillimi i luftës më 7 tetor është rritur në 10,569. Sipas kësaj ministrie, 4,324 prej tyre ishin fëmijë, dhe se 26,457 palestinezë të tjerë janë plagosur.

Izraeli pretendon se ka shkatërruar 130 tunele të Hamasit në Rripin e Gazës që kur i filloi operacionet e tij tokësore. 

Shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Türk, ka thënë se Izraeli dhe Hamasi kanë kryer krime lufte, gjatë një vizite në vendkalimin e Rafahut dhe në spitalin El Arish në Egjipt të mërkurën.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka thënë se ka diçka “qartësisht të gabuar” me operacionet ushtarake të Izraelit për shkak të numrit të civilëve të vrarë në Rripin e Gazës. Guterres, duke folur të mërkurën, ka thënë se është “absolutisht jetike” që të ketë një fluks ndihme humanitare në Gaza për t’i përmbushur nevojat “dramatike” të popullsisë në territorin palestinez.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha gjithashtu se Izraeli nuk duhet ta ripushtojë Gazën, por shtoi megjithatë se Izraeli mund ta kontrollojë territorin për një periudhë tranzicioni. Komentet e tij i bënë jehonë komenteve të Shtëpisë së Bardhë të martën që sugjeronin kundërshtimin ndaj një pushtimi afatgjatë të Gazës./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala