SHBA i kërkon Izraelit të heqë dorë nga planet për ofensivën tokësore në Rafah
SHBA-ja ka propozuar një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të përkohshëm dhe Izraeli të mos vazhdojë me një ofensivë të planifikuar në Rafah në Gazën jugore.
Drafti i tekstit shënon herën e parë që SHBA-ja ka mbështetur në mënyrë eksplicite një armëpushim në konfliktin Izrael-Hamas, megjithëse shton se armëpushimi i përkohshëm duhet të fillojë “sa më shpejt të jetë e mundur”, duke lënë një hapësirë për manovra nga ushtria izraelite.
Sulmet ajrore izraelite e kanë goditur Libanin jugor të hënën pranë qytetit të Sidonit, duke plagosur 14 persona, sipas mediave zyrtare. Ushtria izraelite deklaroi se kishte në shënjestër “objektet e ruajtjes së armëve të Hezbollahut”. Agjencia shtetërore e Libanit e Lajmeve (NNA) raportoi se sulmet goditën një magazinë ku prodhoheshin goma dhe gjeneratorë të energjisë elektrike, së bashku me zonën përreth të një fabrike.
Në lajme të tjera, Houthis e kanë marrë përgjegjësinë për një nga sulmet e tyre më të rëndësishme, duke goditur me dy predha një anije mallrash me flamur Belize në Detin e Kuq. Rebelët jemenas pohuan se anija ishte në rrezik të fundosjes, duke arritur potencialisht një fitore propagandistike nëse konfirmohej.
Këshilli i BE-së e ka nisur një operacion mbrojtës të sigurisë detare, Operacionin ASPIDES, për ta mbrojtur lirinë e lundrimit në Detin e Kuq dhe Gjirin. Ky operacion synon ta mbajë një prani detare të BE-së në një zonë ku sulme të shumta Houthi ndaj anijeve tregtare ndërkombëtare kanë ndodhur që nga tetori i vitit 2023.
Kryediplomati i BE-së Josep Borell e ka shprehur shqetësimin e tij se Benjamin Netanyahu mund ta autorizojë një ofensivë ushtarake në Rafah, pavarësisht rritjes së presionit ndërkombëtar për t’u përmbajtur nga kjo. Ministri i Jashtëm i Irlandës, Micheal Martin, e ka dënuar çdo bombardim të mundshëm të Rafahut si “të pandërgjegjshëm”.
Izraeli e ka shpallur presidentin e Brazilit Luiz Inácio Lula da Silva “persona non grata” pasi ai akuzoi Izraelin për gjenocid dhe i krahasoi veprimet e tij me Holokaustin. Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, i denoncoi komentet e Lula da Silva si një “sulm serioz antisemitik”.
Ministria e shëndetësisë në Gaza raportoi se numri i të vdekurve nga aksioni ushtarak izraelit që nga 7 tetori ka arritur në 29,092, me 107 palestinezë të vrarë dhe 145 të plagosur vetëm në 24 orët e fundit. Janë raportuar gjithsej 69,028 të lënduar. Gazetarët nuk kanë qenë në gjendje të verifikojnë në mënyrë të pavarur shifrat e viktimave gjatë konfliktit.
Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Palestinës deklaroi se forcat izraelite kanë kryer bombardime të shumta pranë spitalit al-Amal në Khan Younis, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në ndërtesën e spitalit.
Në një përditësim operacional, ushtria izraelite ka raportuar operacione në vazhdim në Khan Younis, duke pretenduar se kishte zbuluar AK-47, dronë, një RPG, pajisje shpërthyese dhe pajisje shtesë ushtarake./The Guardian
Përgatiti: Nuhi Shala