SHBA dhe Britania e Madhe ndërmarrin sulme ushtarake kundër ‘Houthi’ të mbështetur nga Irani në Jemen

Shtetet e Bashkuara tw Amerikws dhe Britania kanë kryer sulme kundër objektivave të lidhur me Houthis në Jemen. Është hera e parë që sulmet janë nisur kundër grupit të mbështetur nga Irani që kur ai filloi t’a shënjestrojë transportin ndërkombëtar në Detin e Kuq në fund të vitit të kaluar.

Zëdhënësi i Houthive të Jemenit, Mohammed Abdulsalam, ka postuar në platformën sociale X se grupi do të vazhdojë t’i shënjestrojë anijet që shkojnë drejt Izraelit dhe se nuk ka asnjë justifikim për sulmin SHBA-Britani në Jemen, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Zëvendësministri i Jashtëm Houthi, Hussein Al-Ezzi, ka paralajmëruar për një “çmim të rëndë” që duhet paguar nga SHBA dhe Britania e Madhe, sipas mediave zyrtare Houthi:

“Vendi ynë iu nënshtrua një sulmi masiv agresiv nga anijet amerikane dhe britanike, nëndetëset dhe avionët luftarakë… Amerika dhe Britania do të duhet të përgatiten të paguajnë një çmim të rëndë dhe t’i bartin të gjitha pasojat e rënda të këtij agresioni flagrant” – ka thënë ai.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanaani, ka lëshuar një deklaratë duke thënë se Irani e dënon fuqishëm sulmin SHBA-Britani ndaj Huthëve të Jemenit, raporton Nournews.

Hezbollahu i Libanit gjithashtu ka reaguar të premten ndaj sulmeve ajrore dhe i ka dënuar ato.

Rusia thotë se ka kërkuar një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar sulmet ushtarake në Jemen nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania.

Forca Ajrore e SHBA thotë se ka goditur “mbi 60 objektiva në 16 lokacione militante Houthi të mbështetur nga Irani, duke përfshirë nyjet e komandës dhe kontrollit, depot e municioneve, sistemet e lëshimit, objektet e prodhimit dhe sistemet e radarëve të mbrojtjes ajrore”.

Ai gjithashtu thotë se më shumë se 100 municione të llojeve të ndryshme të drejtuara me saktësi janë përdorur në sulme.

Presidenti amerikan ka lëshuar një deklaratë mbi sulmet – ku duke e vënë theksin tek vendet e përfshira në aksionin ushtarak – duke përfshirë Australinë, Bahreinin, Kanadanë dhe Holandën.

Presidenti amerikan ka deklaruar se këto sulme të synuara janë një mesazh i qartë se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë nuk do të tolerojnë sulme ndaj personelit tonë ose nuk do t’i lejojnë aktorët armiqësorë të rrezikojnë lirinë e lundrimit në një nga rrugët tregtare më kritike në botë.

Kryeministri i Britanisë, Rishi Sunak, ka lëshuar gjithashtu një deklaratë mbi aksionin ushtarak, duke e përshkruar atë si një “veprim të kufizuar, të nevojshëm dhe proporcional në vetëmbrojtje” dhe duke thënë se Holanda, Kanadaja dhe Bahreini ofruan “mbështetje jo-operative”.

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka thënë përmes një deklarate se “u kushtua kujdes i veçantë për të minimizuar çdo rrezik për civilët” dhe se “indikacionet e hershme tregojnë se aftësia e Houthis për ta kërcënuar transportin tregtar ka marrë një goditje”.

Dhjetë vende u përfshinë në sulme, sipas një deklarate të përbashkët të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë nga qeveritë e Australisë, Bahreinit, Kanadasë, Danimarkës, Gjermanisë, Holandës, Zelandës së Re, Republikës së Koresë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara. Shtetet që thonë se “nuk do të hezitojnë t’i mbrojnë jetët dhe ta mbrojnë rrjedhën e lirë të tregtisë në një nga rrugët ujore më kritike në botë”.

Arabia Saudite ka thënë se po e monitoron situatën me “shqetësim të madh”. Ministria e Jashtme e mbretërisë i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters se po bën thirrje për përmbajtje dhe “shmangie të përshkallëzimit” në dritën e sulmeve ajrore të nisura nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania.

Izraeli do të përgjigjet dhe do të paraqesë mbrojtjen e tij në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Afrika e Jugut ka ngritur një padi në gjykatën më të lartë të OKB-së duke kërkuar nga gjyqtarët të vendosin masa urgjente duke urdhëruar Izraelin ta ndalojë menjëherë ofensivën e Gazës, duke pretenduar se veprimet e Izraelit në luftën atje përbëjnë gjenocid. Izraeli i hedh poshtë akuzat për gjenocid si të pabaza dhe thotë se Afrika e Jugut po vepron si zëdhënëse e Hamasit. Izraeli thotë se ushtria e tij po i targeton militantët e Hamasit, jo civilët palestinezë./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala