Ilustrim

Sërish s’ka insulina të mjaftueshme në QKMF në Prishtinë

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë të premten, 03.12.2021, është furnizuar me dy lloje të insulinave, “Novomix” dhe “Levemir”, të nevojshme për pacientët me diabet, pas një muaji mungesë.

Ndonëse një muaj kishin mungesë të insulinës “Novomix” dhe “Levemir” Ministria e Shëndetësisë, Departamenti Farmaceutik përsëri nuk ka arritur të furnizoj mjaftueshëm me këto lloje të barnave këtë qendër.

Drejtori i QKMF-së, Bujar Gashi, tha se janë furnizuar me gjysmën e kërkesës së tyre. Diabetikët të cilët kanë nevojë për 10 pena apo insulina, do të arrijnë të marrin vetëm pesë prej tyre.

“Na shkojnë rreth 6,500 pena brenda muajit, na kanë nda rreth 3,200 insulina. Kemi bisedu me Ministrinë e Shëndetësisë me Departamentin Farmaceutik dhe këshilla e tyre ka qenë që pacientët me i furnizu me gjysmën e dozës, nëse i ka 10 pena për një javë me i dhanë 5 pena”, thotë për KALLXO.com drejtori i QKMF-së, Bujar Gashi.

Ai potencon se kanë marrë premtime se brenda dy javësh do të furnizohen përsëri me insulina.
Në kryeqytet janë përafërsisht 2 mijë persona diabetik aktiv, të cilët vazhdimisht marrin këtë ilaç.

KALLXO.com javë më parë pati raportuar për mungesën e këtyre dy llojeve të insulinave në këtë qendër.

Prishtina e Obiliqi, pa disa lloje të insulinave, pacientët i blejnë ato në barnatoret private