Senati i UP-së e përjashton nga lista kredibile revistën mashtruese

Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në mbledhjen e sotme e ka përjashtuar nga lista e revistave kredibile, revistën shkencore “International Journal of Resarch in Business and Social Science”.

Muaj më parë, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) në bashkëpunim me kandidaten për profesor asistent në Fakultetin Ekonomik . Albana Berisha-Qehaja ka denoncuar publikisht revistën si mashtruese dhe i ka kërkuar Senatit të UP-së që ta përjashtojë këtë revistë nga procesi i avancimeve.

ORCA kishte thënë se në këtë revistë ka të publikuar punim shkencor edhe dekan i Fakultetit Ekonomik, But Dedaj, për të cilën ky i fundit në fjalën e tij gjatë senatit tha se nuk ka qenë në dijeni se revista nuk ështe kredibile.

“Secili që publikon i sheh të dhënat në bazë të udhëzimit administrativ dhe në bazë të rregullores që është shpallur konkursi, a janë ato revista dhe a është në listën e revistave që s’pranohen. Kjo revistë nuk është në listën e revistave jo kredivile dhe është në platformën në udhëzim administrativ”, tha Dedaj.

Ai shtoi se nëse senati merr vendim që ajo të shpallet kredibile të vlejë vetëm për rastet në të ardhmen.

Edhe dekani i Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi tha se vendimi i senatit për këtë revistë mos të shoqërohet me veprime prapavepruese por vetëm për të ardhmen.

Pas kësaj, ORCA përmes një komunikate për media ka thënë se e mirëpret vendimin e Senatit të UP-së për përjashtimin e revistës ““International Journal of Resarch in Business and Social Science”.

“ORCA përgëzon menaxhmentin për propozimin e vendimit në Senat dhe Senatin për vendimin e marrë me shumicë masive votash. Ndërkaq, dënojmë qëndrimin destruktiv të dekanit të Fakultetit Ekonomik But Dedaj dhe votën e tij të vetme kundër këtij vendimi. Ritheksojmë se ky dekan është në process të avancimeve dhe e ka një punim të publikuar në këtë revistë tashmë zyrtarisht mashtruese”, thotë ORCA.

Senati vendos të shpallet konkursi për angazhim të stafit akademik në UP