ORCA zbulon një revistë mashtruese me "Andrra Qielli"

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) sot ka paraqitur një operacion simbolik që e kanë bërë për demaskimin e revistave mashtruese, nga të cilat janë duke u avancuar profesorë në Universitetin e Prishtinës.

Ata për ta nxjerrë në pah një gjë të tillë kanë simuluar një situatë fiktive, me një person imagjinar Andrra Qielli, nga universiteti imagjinar Triumph University në Tiranë, ku me sukses kanë arritur që ta publikojnë një punim në revistën International Journal of Resarch in Business and Social Science.

Drejtori i ORCA-s, Rron Gjinovci tha se ky punim që është publikuar ka pasur shumë gabime drejtshkrimore dhe gabime në referenca dhe se sipas tij, janë dashur vetëm tre ditë që ai të publikohet në këtë revistë.

“Ajo që duhet theksuar është se janë manipuluar datat te historia e publikimit të punimit nga vetë revista. Punimi i publikuar nga personi imagjinar, Andrra Qielli del se është publikuar me 9 tetor 2019, që i bie një muaj para se të kontaktohej për herë të parë revista. Më tutje, sqarohet nga revista mënyrë të rrejshme se punimi është dërguar më 4 shtator, ndërkaq përmirësimet finale gjoja se janë kryer me 29 shtator”, tha ai.

Tutje ai tha se të gjitha informatat zyrtare të revistës janë të rrejshme dhe mashtruese.

“Përtej çdo dyshimi të bazuar, mundet të thuhet se revista është mashtruese, kriminale dhe se rrezikon komprometimin e gjithë procesit të avancimeve që po zhvillohen në UP”, tha tutje ai.

Në fund, ai i ka kërkuar Senatit të UP-së që ta fus këtë revistë në listën e revistave mashtruese, siç ka vepruar disa muaj më parë më një rast tjetër.

“ORCA kërkon nga senati që kandidatëve që kanë publikuar në këto revista, të mos ua marrë parasysh punimet e publikuara në revistat e këtij publikuesi”, ka shtuar drejtori i ORCA.

ORCA po ashtu ka thënë se  Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë duhet urgjentisht ta ndërrojë Udhëzimin Administrativ dhe t’i heq nga indeksimi të gjitha platformat e tjera përveç SCOPUS dhe Web of Science.

Procesi i avancimit të stafit në UP ka filluar më 14 tetor, ku senati kishte marrë vendim që të shpallë konkursin për angazhimin e personelit të rregullt akademik, përfshirë zgjedhje, rizgjedhje dhe avancim të tyre.

Senati vendos të shpallet konkursi për angazhim të stafit akademik në UP

www.kallxo.com