Senati vendos të shpallet konkursi për angazhim të stafit akademik në UP

Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në mbledhjen e sotme ka marrë vendim që të shpallë konkursin për angazhimin e personelit të rregullt akademik, përfshirë zgjedhje, rizgjedhje dhe avancim të tyre.

Kjo pikë e rendit të ditës u votua me 19 vota pro 5 kundër dhe 5 abstenime, e cila nuk kaloi pa polemika mes senatorëve për numrin e angazhimit të stafit.

Rektori i UP-së, Marjan Dema tha se konkursi për staf në këtë universitet është gjithmonë sfidues dhe se nuk ka buxhet që të angazhohen shumë staf i ri.

“Për shkak të buxhetit kësaj radhe kemi shkuar vetëm me pozita të tjera, këtu nuk rriten profesorët e pensionuar, nuk llogariten profesorët që kanë dhënë dorëheqje ndërkohë, ato me automatizëm shpallen dhe I kemi bërë kriteret sipas të cilave konkursin për të gjitha njësitë akademike përpos disa njësi akademike që s’kanë mujt me radhë aq sa kanë pasur mundësi. Kam propozime dhe ju kisha lut për mirëkuptim që të mos kthehemi me bisedu shumë herë dhe s’po dëshirojmë me u pajtu çka është pozitë e re e çka është ekzistuese”, tha Dema.

Dekani i Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi kërkoi që të gjitha shkresat që i kanë bërë të aprovohen nga senati, që asistentët të avancohen.

“Janë rreth 13 vende që nuk janë plotësuar dhe gjatë diskutimeve patëm kërkesë që të ketë shkurtim të këtyre pozitave. Këto s’janë pozita të reja, pozitë e re konsiderohet ajo e cila miratohet me ligjin e ri të buxhetit, e pranoj se është kosto buxhetore shtesë por duhet të dallojmë koston shtesë dhe vendin e ri të punës, ne s’po flasim për vend të re të punës, të gjithë kolegët janë duke punuar dhe s’janë pozita të reja nga jashtë. Ka buxhet dhe pretendojmë së bashku me Këshillin e Fakultetit t’i zvogëlojmë mbi normat”, tha Gashi.

Rektori vazhdoi duke thënë se Demaj tha se kjo është për pozita të reja dhe ka të drejtë çdo kush të aplikojë.

“Unë një pyetje po ja bëjë dekanit: Nëse ka me u shpallë një vend i ri, kush i siguron atij që ai ka mu zgjedh, ai është vend i ri, kush të garanton që kanë mu zgjedh ata prapë. E shpallë një vend të ri që ka të drejtë gjithkush të konkurrojë, çka më siguron. Në momentin  që e shpallë një lëndë të re ai është pozitë e re, por kjo është konkurs dhe s’ka rizgjedhje të avancimeve dhe kanë të drejtë barabartë me konkuru”, tha Demaj.

Kurse, dekani i Fakulteti Ekonomik, But Dedaj tha se kjo pikë duhet të diskutohet mirë që të mos dëmtohet askush.

“Nuk është variant veç ta bëjmë shkel e shko e votojmë edhe i dëmtojmë njerëzit. Nga fakulteti ynë ne kemi qenë të atakuar se kemi profesorë me mbi normë. Të gjithë kemi 12+18 orë. Në mesatare secili profesor i merr 500 euro shtesë, një orë është 25 euro, 600 euro në muaj neto 500”, tha ai.

Kurse rektori Dema i tha “mos na mbajë me këto detaje”, ndërsa Dedaj i tha se “unë jam senator dhe kam të drejtë me fol”.

Dedaj shtoi se numri që kanë kërkuar për staf janë numri me të cilin janë akredituar nga AKA.

“Numri është që ministria e ka aprovuar dhe duhet me mbush këtë numër sepse është obligim ndaj shtetit të Kosovës”, tha ai.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike- Natyrore, Tahir Arbneshi dha një propozim interesant në lidhje me angazhimin e asistentëve.

“Unë mendoj që për me i ik këtij problem duhet të nisemi procedura për me ndryshu rregulloren e të ardhurave personale dhe të bëhet norma e profesorit siç është në Europë. Unë kam propozim senati më nxjerr vendim, asistentë më nuk pranojmë dhe të shkojmë me orë”, tha Arbneshi.

Ndërsa, dekani i Fakulteti të Juridikut Haxhi Gashi tha se është dashur të njoftohen me kohë se nuk ka pasur buxhet.

“Ne kishim bë ndonjë planifikm tjetër dhe në Këshilli kishim thënë s’mundemi të gjithë mi dërgu tash. Mundësitë buxhetore s’duhet me qenë pengësë për avancim”, tha Gashi.

Po ashtu në këtë mbledhje u miratuan edhe programet e reja studimore të propozuara nga njësitë akademike dhe të cilat duhet të procedohen për aprovim në Agjencinë Kosovare të Akreditimit(AKA).

Si dhe u aprovuan temat dhe mentorët për kandidatët në studimet e doktoratës sipas raportit të KQSD-së.