Sekretari Blinken: SHBA do t'i përgjigjet "në mënyrë decizive" sulmit me dron në bazën ushtarake

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se SHBA do t’i përgjigjet “në mënyrë decizive” agresionit dhe do të kërkojë përgjegjësi për sulmin me dron në një bazë ushtarake amerikane në Jordani që vrau tre trupa amerikane dhe plagosi dhjetëra të tjerë. Sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin, u zotua se SHBA do të ndërmarrë “të gjitha veprimet e nevojshme” për t’i mbrojtur trupat e saj, ndërsa Pentagoni tha se nuk beson se Irani po kërkon një luftë me SHBA-në dhe se Uashingtoni gjithashtu nuk dëshiron një luftë.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres do të takohet me donatorët kryesorë të agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA, të martën, pasi 12 anëtarë nga stafi i saj u akuzuan nga Izraeli për përfshirje në sulmet e 7 tetorit. Zëdhënësi i tij thotë se ky takim do të zhvillohet në Nju Jork.

Korniza për një marrëveshje që mund të çojë në një armëpushim dhe lirimin e pengjeve të mbajtura në Gaza po i vihet udhëheqjes së Hamasit, ka thënë të hënën kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani. Duke folur pas bisedimeve në Paris midis zyrtarëve nga SHBA, Katari, Egjipti dhe Izraeli, ai tha: “Ne jemi në një vend më të mirë se sa ishim disa javë më parë”. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shprehu gjithashtu shpresë. Shtetet e Bashkuara besojnë se bisedimet “po shkojnë në një drejtim të mirë”, por nuk ka asnjë marrëveshje të afërt, tha Shtëpia e Bardhë.

Hamasi dhe Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës e kanë përsëritur se Izraeli duhet ta ndalojë ofensivën e tij dhe të tërhiqet nga Gaza përpara se të ndodhë ndonjë shkëmbim i të burgosurve. Izraeli mbetet kundër një armëpushimi të përhershëm dhe dëshiron të ruajë të drejtën për të rifilluar armiqësitë kundër Hamasit – diçka që udhëheqja e Hamasit dëshiron të përjashtohet.  Agjencia e OKB-së për ndihmë për refugjatët palestinezë (UNRWA) ka paralajmëruar se nuk do të jetë në gjendje t’i vazhdojë operacionet në Gaza dhe në të gjithë rajonin përtej fundit të shkurtit nëse financimi nuk rifillon. Izraeli ka pretenduar se disa pjestarë të UNRWA-s kanë marrë pjesë në sulmet e 7 tetorit ose në pasojat, duke përfshirë një këshilltar shkolle që dyshohet se ka rrëmbyer një grua izraelite. Një varg vendesh perëndimore, përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, i kanë pezulluar fondet për agjencinë, e cila ofron ndihmë për më shumë se 5.6 milionë refugjatë palestinezë në të gjithë Lindjen e Mesme. Organizata bamirëse ActionAid e përshkroi tërheqjen e fondeve për UNRWA si një “dënim me vdekje” për popullsinë e Gazës.

Të paktën 26,637 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza dhe 65,387 të tjerë janë plagosur, sipas shifrave të fundit nga ministria e shëndetësisë e Gazës. Dyqind e pesëmbëdhjetë palestinezë u vranë në 24 orët e fundit, njoftoi ministria e lartcekur.

Pesë palestinezë u vranë nga forcat izraelite në katër incidente të ndryshme në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli në 24 orët e fundit, tha të hënën ministria palestineze e shëndetësisë. Agjencia palestineze e lajmeve ëafa raportoi se 378 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor të pushtuar që nga 7 tetori.

SHBA dhe Britania e Madhe njoftuan sanksione kundër individëve për të cilët ata thanë se i kanë si shënjestër disidentët dhe aktivistët iranianë për vrasje nën drejtimin e regjimit iranian. Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar njoftoi sanksione kundër shtatë individëve dhe një organizate që tha se ishin të përfshirë në kërcënimet për të vrarë gazetarë në tokën britanike, dhe të tjerë që tha se ishin pjesë e bandave kriminale ndërkombëtare të lidhura me Iranin.

Punonjësit e qeverisë amerikane po planifikojnë një “ditë agjërimi për Gazën” këtë javë për të tërhequr vëmendjen ndaj krizës humanitare në këtë territor dhe për ta denoncuar politikën e Joe Biden ndaj Izraelit./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala