Takim pa distancë e maska, Fotografi: Sami Lushtaku në Facebook

Sami Lushtaku vazhdon mosrespektimin e masave anti-COVID

Është hera e katërt që ish-kryetari i Skenderajit, Sami Lushtaku publikon fotografi në Facebook ku shihet në hapësirë me shumë njerëz, duke i mos respektuar masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Në një publikim në Facebook ai ka njoftuar për takimin e mbajtur me kryesinë e degës së PDK-së, me kryesinë e rinisë dhe kryetarët e nëndegëve në Skenderaj për organizim të brendshëm të PDK-së për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, ku shihet një numër i madh njerëzish pa maska e pa distance për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.

“Po bisedojmë për zhvillimet politike në Kosovë dhe organizimin e brendshëm të Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj, pas vendimit të kryesisë qendrore të PDK-së për përgatitjet lidhur me zgjedhjet lokale. Do të punojmë fuqishëm me të gjitha strukturat dhe qytetarët, që PDK në Skenderaj të ketë anëtarë të asamblesë komunalë të përgatitur e intelektualë nga të gjitha fushat”, ka shkruar Lushtaku.

Takim pa distancë e maska, Fotografi: Sami Lushtaku në Facebook

KALLXO.com ka shkruar edhe për tri raste tjera të shkeljes së masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19 nga Lushtaku. Shkeljet e tjera janë ndeja në Prekaz, mbledhia e me përkrahësit e PDK-së në Prishtinë, dhe një ndenjë në Gollak ku shihen së bashku me sekretarin e PDK-së, Uran Ismalin, pa maska e pa distancë.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e datës 28 korrik i ka ndaluar mbledhitë apo ahengjet e tilla familjare apo private.