Rusia shënjestron infrastrukturën në shenjë hakmarrje ndaj kundërofenzivës së Ukrainës

Rusia i ka sulmuar objektet e infrastrukturës në Ukrainën qendrore dhe lindore të dielën në mbrëmje si përgjigje ndaj një kundërofensive dramatike të Ukrainës në provincën Kharkiv që e ka riformësuar luftën dhe e ka lënë Moskën të befasuar. Kryetari i bashkisë së qytetit Kharkiv, Ihor Terekhov, tha se një sulm e ka ndërprerë ndërprerë energjinë dhe ujin në pjesën më të madhe të qytetit, në atë që ai e përshkroi si një akt “hakmarrjeje” nga Rusia për sukseset e fundit të Ukrainës në fushëbetejë. Pati raportime për ndërprerje të energjisë në Dnipro, Poltava dhe qytete të tjera lindore, duke prekur potencialisht miliona civilë. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një deklaratë në mediat sociale i denoncoi sulmet si të qëllimshme dhe cinike me raketa kundër objektivave civile si akte terrorizmi.

Ambasadorja e SHBA-së në Ukrainë, Bridget Brink, i ka denoncuar sulmet e Rusisë në objektet e energjisë dhe ujit. “Përgjigja e dukshme e Rusisë ndaj Ukrainës që çliron qytetet dhe fshatrat në lindje: dërgimi i raketave në përpjekje për të shkatërruar infrastrukturën kritike civile”, shkroi Brink në Tëitter.

“Ne do ta quajmë atë një fitore,” tha Zelenskiy, në një video fjalim të dielën, duke iu referuar një tërheqjeje të mundshme ruse. Ai shtoi se ka besim se forcat ukrainase do t’i çlirojnë të gjitha territoret e pushtuara nga Rusia në të gjithë vendin.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe homologu i tij francez Emmanuel Macron e kanë fajësuar njëri-tjetrin gjatë një bisede telefonike mbi shqetësimet e sigurisë në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia. “Pala ruse tërhoqi vëmendjen ndaj sulmeve të rregullta ukrainase në objektet e uzinës, duke përfshirë ruajtjen e mbetjeve radioaktive, e cila është e mbushur me pasoja katastrofike”, thuhet në një deklaratë në faqen e internetit të Kremlinit. Në deklaratën e saj, presidenca franceze tha se pushtimi nga trupat ruse të uzinës ishte ajo që po e vinte atë në rrezik. Më herët, operatori i energjisë bërthamore i Ukrainës tha se reaktori i fundit operativ në termocentral ishte mbyllur dhe termocentrali “i ndalur plotësisht”.

Udhëheqja e Moskës ka qëndruar “e heshtur” për disfatat në Ukrainë, ndërkohë që as Putini e as ministri rus i mbrojtjes, Sergei Shoigu, nuk kanë bërë asnjë koment që nga mesdita e së dielës. Heshtja pothuajse totale e Moskës për humbjen – ose ndonjë shpjegim për atë që ka ndodhur në Ukrainën verilindore – ka provokuar zemërim të konsiderueshëm në mesin e disa komentuesve pro luftë dhe nacionalistëve rusë në mediat sociale.

Ramzan Kadyrov, lideri i Çeçenisë i emëruar nga Kremlini, e ka kritikuar udhëheqjen e ushtrisë ruse pasi u duk se u kap në befasi nga lufta e Ukrainës kundër pushtimit rus në veri-lindje. Në shenjë se Kremlini mund të përballet me pasoja serioze për humbjen e territorit që administratat pushtuese ruse kishin deklaruar vazhdimisht se planifikonin ta mbanin “përgjithmonë”, Kadyrov sugjeroi gjithashtu se Vladimir Putin mund të mos ishte në dijeni të gjendjes reale në terren./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala