Presidenti rus, Vladimir Putin.

Rusia e paralajmëron Perëndimin: Sanksionet tona do t'ju lëndojnë

Rusia e ka paralamëruar Perëndimin të mërkurën se po punon për një përgjigje të gjerë ndaj sanksioneve të imponuara ndaj Rusisë, që do të ishte një përgjigje e shpejtë dhe e ndjeshme në zonat më të ndjeshme të Perëndimit.

Ekonomia e Rusisë po përballet me krizën më të rëndë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, pasi Perëndimi vendosi sanksione gjymtuese mbi pothuajse të gjithë sistemin financiar dhe korporativ rus pas pushtimit të Ukrainës nga Moska.

“Reagimi i Rusisë do të jetë i shpejtë, i mirëmenduar e dhe i ndjeshëm për ata që u drejtohet”, citohet të ketë thënë nga agjencia e lajmeve RIA, Dmitry Birichevsky, drejtori i departamentit të bashkëpunimit ekonomik të Ministrisë së Jashtme.

Presidenti i SHBA, Joe Biden, vendosi të martën një ndalim të menjëhershëm për importet e naftës ruse dhe të tjera të energjisë në shenjë hakmarrjeje për pushtimin rus të Ukrainës.

Rusia paralajmëroi në fillim të kësaj jave se çmimet e naftës mund të rriten deri në mbi 300 dollarë për fuçi nëse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i ndalojnë importet e naftës së papërpunuar nga Rusia.

Rusia thotë se Evropa konsumon rreth 500 milionë tonë naftë në vit. Rusia e furnizon rreth 30% të kësaj, ose 150 milionë ton, si dhe 80 milionë ton produkte petrokimike.

Presidenti rus Vladimir Putin thotë se “operacioni special ushtarak” është krucial për ta garantuar sigurinë ruse pasi Shtetet e Bashkuara e zgjeruan aleancën ushtarake të NATO-s deri në kufijtë e Rusisë dhe mbështetën liderët properëndimorë në Kiev.

Ukraina thotë se po lufton për ekzistencën e saj dhe Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë dhe aziatikë e kanë dënuar pushtimin rus.

Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë, ka bërë thirrje për përmbajtje, por presidenti Xi Jinping ka paralajmëruar se sanksionet do ta ngadalësojnë ekonominë botërore./Reuters