Ilustrim

Rritet numri i viktimave nga coronavirusi, në disa vende mbyllen shkollat

Në nivel global, deri më tani janë regjistruar më shumë se 93.000 raste të personave të prekur nga coronavirusi, bazuar në të dhënat më të fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Edhe numri i rasteve të vdekjeve si pasojë e infektimit me coronavirus po rritet çdo ditë.

Për shembull, në Itali nga 79 të vdekur sa ishin dje, numri ka shkuar në 107 gjatë ditës së sotme.

Për shkak të këtij virusi, Qeveria italiane përfundimisht ka marrë vendim që të mbyllë shkollat dhe fakultetet deri më 15 mars.

Në Itali, e cila tashmë është bërë epiqendër e epidemisë në Europë,  janë infektuar më shumë se 3.000 persona. 276 prej tyre janë shëruar. Shumica e rasteve me vdekje janë shënuar në regjionin e Lombardisë në veri të Italisë.

Janë konfirmuar po ashtu edhe dy raste të reja të këtij virusi në Irlandën Veriore duke e shtuar numrin e rasteve me coronavirus në këtë vend në 3.

Në Francë janë mbyllur rreth 120 shkolla në rajonin perëndimor të Parisit – qendrën e epidemisë në këtë shtet.

Në Britaninë e Madhe coronavirusi është konfirmuar te 34 persona dhe me këtë numri total i të infektuarve në këtë shtet është rritur në 85. Për shkak të këtij virusi është anuluar Panairi i Librit  në Londër, i cili mbahet për çdo vit nga data 10 deri me 12 mars.

Në Korenë Jugore, shteti më i madh i të infektuarve pas Kinës, deri më tani janë raportuar 516 raste të reja duke e rritur numrin e të infektuarve në këtë shtet në 5.328 sosh. Deri më tani në Korenë Jugore kanë vdekur 33 njerëz nga ky virus.

Në Iran janë raportuar 15 raste të reja me vdekje duke shtuar numrin e të vdekurve në total prej 92 sosh. Numri i të infektuarve në këtë shtet ka arritur në rreth 3.000.

India ka raportuar 17 raste të reja me këtë virus duke shtuar numrin e të infektuarve në 28.

Në këtë shtet deri më tani janë identifikuar tre persona si të infektuar me këtë virus.

Në Slloveni, ministri në largim i Shëndetësisë, Ales Sabeder, ka deklaruar gjatë një konference për media për rastin e parë me coronavirus të paraqitur në këtë shtet.

Në Rumani, shtet ky në pjesën juglindore të Evropës Juglindore, raportohet se janë 42 persona të izoluar në një karantinë institucionale ndërkohë që rreth 9.431 të tjerë janë nën përcjellje shtëpiake për shkak të këtij virusi.

Sa i përket rajonit ballkanik, në Kroaci, të mërkurën pasdite është shënuar rasti i dhjetë ndërkohë në Serbi nuk ka të infektuar megjithëse deri më tani rreth 50 persona janë testuar të dyshuar si të infektuar nga ky virus.

Në Mal të Zi nuk është raportuar asnjë rast i infektimit me këtë virus megjithëse më herët ishte raportuar  se një numër prej 340 qytetarësh, shumica prej tyre në Podgoricë, dyshoheshin të jenë prekur nga virusi.

Në Maqedoninë e Veriut deri më tani nuk është raportuar asnjë person i infektuar me këtë virus.

Në Shqipëri, sipas ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nuk ka asnjë të  prekur nga coronavirusi dhe 42 testime kanë rezultuar negative.

Në Kosovë deri më tani nuk është shënuar asnjë rast i infektimit me coronavirus përkundër një numri të raportuar si të infektuar e të cilët kanë rezultuar si negativ.

Virusi është shpërndarë nga Kina në 76 shtete tjera dhe deri më tani numri i të vdekurve nga ky virus ka arritur në 3.200.

Numri më i madh i të infektuarve vjen nga Kina me më shumë se 80.000. Në këtë vend janë raportuar 38 raste të reja me vdekje si dhe 119 të infektuar të rinj.

Organizata Botërore e Shëndetësisë raportohet të jetë e brengosur me faktin se edhe bankënotat mund të jenë një prej kanaleve prej nga ku mund të bëhet shpërndarja e virusit dhe OBSh ka bërë apel tek të gjithë qytetarët të përdorin mjete tjera të pagesave duke evituar kontaktin me bankënotat në mënyrë që të reduktohet mundësia e infektimit përmes tyre.