BURIMI: Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK)

Burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK)

Rreth 200 biznese më pak të regjistruara në 2020-n, u shuan mbi 1,300

Çdo vit në Kosovë, mesatarisht regjistrohen 9,218 biznese, e në anën tjetër shuhen mesatarisht rreth 1,534 tjera. Ndërsa, në vitin që shkoi u regjistruan 9,805 biznese e u shuan 1,326 sosh. Në të dyja kategoritë pati rënie. Të dhënat e tremujorit të fundit për vitin 2020, tregojnë se u regjistruan mbi 2,800 biznese ndërsa u shuan 440 sosh. Krahasuar me tremujorin paraprak ka rritje për 10.60 për qind të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019, ka rritje për 11.76 për qind të ndërmarrjeve të regjistruara.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: Tregtia me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 728 ndërmarrje të regjistruara 25.4 për qind; prodhimi me 354 ndërmarrje të regjistruara 12.3 për qind; Aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike me 286 ndërmarrje të regjistruara 10 për qind; Akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 275 ndërmarrje të regjistruara 9.6 për qind; Ndërtimtaria me 268 ndërmarrje të regjistruara 9.3 për qind; Informacioni dhe komunikimi me 180 ndërmarrje të regjistruara apo 6.3 për qind, etj.

Dominojnë bizneset të cilat punësojnë deri në katër persona

“Në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar, ishin gjithsej 141 ndërmarrje të regjistruara në këtë tremujor (96.7 %); në kategorinë me 5 deri 9 të punësuar ishin 63 sosh (2.2%); në kategorinë me 10 deri në 19 të punësuar ishin 21 ndërmarrje të regjistruara (0.7%); në kategorinë me 20 deri 249 të punësuar ishin 11 ndërmarrje të regjistruara (0.4%); ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar, nuk ka pasur ndonjë ndërmarrje të regjistruar gjatë këtij tremujori”, bën të ditur komunikata.

Tutje, për nga shtrirja gjeografike, bizneset kryesisht janë të regjistruara në komunën e Prishtinës me 897 ndërmarrje të regjistruara apo 31.3 për qind, Ferizaj me 254 ndërmarrje të regjistruara 8.9 për qind, Prizren me 200 ndërmarrje të regjistruara 7.0 për qind; Gjilan me 161 ndërmarrje të regjistruara 5.6 për qind; Pejë me 132 ndërmarrje të regjistruara 4.6 për qind dhe Fushë Kosovë me 126 ndërmarrje të regjistruara apo 4.4 për qind.

Komunat e tjera kanë numër më të vogël të bizneseve të regjistruara në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.

Në bazë të dhënave tremujore të ASK-së, në vitin 2020 u regjistruan 9,805 biznese apo 199 biznese më pak se në viti 2019 sa ishin regjistruar 10,004 biznese, ndërsa u shuan 1,326 sosh. Numri i shuarjes së bizneseve është me rënie për 443 biznese në raport me vitin 2019 sa ishin 1,769 biznese.

Nga viti 2009 deri në vitin 2020, mesatarisht në Kosovë u regjistruan 9,218 biznese ndërsa u shuan 1,534 biznese çdo vit.

Numri më i madh i bizneseve të regjistruara nga viti 2009 e këndej u evidentua në vitin 2016 me gjithsej 10,424 biznese dhe po atë vit regjistrohet edhe numri më i madh i bizneseve të shuara.

Në anën tjetër, numri më i vogël i bizneseve të regjistruar në Kosovë përgjatë këtyre dymbëdhjetë viteve regjistrohet në vitin 2009 me gjithsej 7,505 biznese ndërsa numri më i vogël i bizneseve të shuara regjistrohet në vitin 2011 me 924 biznese.

Këto të dhëna, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e “Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë për tremujorin e katërt (TM4) 2020.