Rrëfimi i Eliza Hoxhës për fotografimin e ngjarjeve të viteve ’90

Fotografja dhe deputetja, Eliza Hoxha, në emisionin “Kallxo Përnime”, ka rrëfyer dokumentimin e ngjarjeve të viteve të ’90-a.

Ajo tha se kur ka shkuar refugjate në Maqedoni të Veriut, i ka marrë me vete të gjithë filmat.

“Më kujtohet që i kam marrë me vete të gjithë filmat. Na kanë qitë prej banesave më 1 prill. Nana insistojke mos me i marrë se thojke mos po na del problem”, – tha ajo

Ndërsa ka shtuar se i janë dashur 18 vjet për të shikuar se çka ka në këta filma të fotografive që i realizoi.

“18 vjet pas luftës i kam shiku filmat se çfarë kam në ta, më herët nuk i kam prekë prej atëherë që i kam marrë në Maqedoni të Veriut. Filmat që kur jam kthy kanë qenë në bodrum të banesës qysh i kam kthy prej Maqedonisë, edhe unë s’i kam çelë ata filma. Kam bo gjana tjera. Kam bo projekte për të zhdukurit e projekte të tjera edhe në një moment që duhet me pa çka kam. Kam pa që disa filma janë ngjitë, e kam kuptu që duna me i digjitalizu”- vazhdon tutje rrëfimin Hoxha.

“Në një diskutim me Fadilin e ‘Hanit të dy Robertëve‘, folshim për të ’90-at. Hani ka qenë galeri alternative. Pra ka qenë kafe, restorant dhe galeri në të njëjtën kohë, hapësirë ekspozimi, promovimi edhe në fakt aty është bërë krejt diplomacia artistike. Galeria ka qenë në një bodrum te Santeja ndërsa kafeneja ka qenë naltë” – tha tutje ajo.

“Aty ka pasur edhe promovime të librit, kemi pasur debate” – ka thënë Hoxha.

“E para kemi diskutuar se si s’ja kemi dhënë dritën e duhur vet Hanit, shtëpisë së memories kolektive për krejt çka ka ndodhur aty edhe në kuptimin politik edhe në at historik e artistik. Tek aty lind ideja për monografinë që është bërë më vonë për ‘Hanin e dy Robertëve’. Po i tregoj që tek tash ju kam kthy filmave të viteve të ’90-a edhe më tha hajde bëje një ekspozitë këtu se ata po vazhdojnë ende edhe pse kanë ndërruar lokacion në mënyrë vetanake po vazhdojnë, pa mbështetje institucionale. Vazhdojnë me e mirëmbajtë idenë e kujtesës kolektive për Hanin dhe për atë se çka ka reprezantu dikur. Dhe e bënëm ekspozitën në 2017-n me emrin ‘jepi shancë paqes’”, – vazhdon tutje ajo.