Prokurori Rasim Maloku

Rrëfimi ekskluziv se si ranë biznesmenët e fajdes në rastin “Brezovica” (VIDEO)

Prokurori Rasim Maloku, i cili po heton rastin “Brezovica” ka rrëfyer në KallxoPernime rrjedhën sipas të cilës ai dhe grupi hetimor kanë arritur të zbulojnë një rrjet të madh të fajdeve.

Në dosjen e fajdeve e cila është pjesë e rastit “Brezovica”, pronarë të bizneseve të mëdha në Kosovë dyshohen për dhënie të parave me fajde që shkojnë deri në 10 milionë euro.

Prokurori ka rrëfyer se çështja kishte nisur rastësisht.

Njëri nga personat e dyshuar për fajde kishte tentuar që në Gjykatën e Ferizajt të kontaktonte njërin prej të dyshuarve në rastin “Brezovica”. Takimi sipas prokurorit ishte pikasur nga hetuesit të cilët pasi kishin gjurmuar kishin kuptuar lidhjen problematike. 

“Çështja e fajdeve ka rrjedhur nga rasti “Brezovica”, një person i arrestuar për veprën penale të dhënies se ryshfetit dhe ushtrimit të ndikimit dhe nga hetimet që i kemi bërë dhe nga provat e sekuestruara kemi vërtetuar se ky person është viktimë e rastit të fajdeve”- ka thënë Rasim Maloku, duke rrëfyer për milionat që u dhanë me fajde në rastin e lidhur me “Brezovicën”.

Maloku ka rrëfyer se ky person ishte paraqitur si familjar i personit të dyshuar. 

“Ky person është shtirur si familjar edhe para hetuesve dhe ka pretenduar se dëshiron të bisedojë me të arrestuarin për ta pyet se a ka nevojë për ndonjë send mirëpo të themi lëshimet e një sektori kanë rezultuar me një hetim bukur të madh në çështjet e fajdeve që ka disa rajone në territorin e Kosovës” – tha Maloku.

Prokurori Maloku ka treguar se hetimi i fajde që fillimisht ishin lidhur me rastin “Brezovica” kanë përfshirë 40 persona, duke përfshirë biznesmenë me zë në vend.

“Procesi me rastin e fajdeve është në vazhdim, kemi mbi 40 persona nën hetim dhe një grup të personave që veç kanë pengu apo kanë tentuar të pengojnë hetimet dhe të themi të drejtën fajdeja është industri e krimit dhe dukuri e shprehur në Kosovë dhe deri sa nuk fillohet të hetohen nga brenda është e pabesueshme” – shton ai.

Maloku ka rrëfyer edhe strukturën se si kanë funksionuar fajdexhinjtë deri sa i kanë futur në fajde viktimat e këtij rasti.

“Më thanë të drejtën ka qenë me shumë aspekt individual, nuk ka grupe mirëpo ka dy persona lidhen me një biznes pastaj persona të tjerë, nuk ka ndonjë strukturë të organizuar. Ne kemi arrestuar dhe kemi nën hetim edhe biznesmenë që kanë pasur emër në Republikën e Kosovës në bizneset e tyre mirëpo është e pabesueshme pse ata kanë hyrë në fajde, deri më tash e kemi një dyshim bukur të provuar që janë dhënë shuma varësisht nga kërkesat e viktimave dhe kamatat kanë qenë shumë të larta, varet sa kanë qenë urgjente nevojat ashtu janë rritur edhe fajdet” – thotë Maloku.

Emisioni gjithashtu ka shfaqur pamjet nga bastisja dhe kontrolli i Policisë brenda shtëpive të njerëzve të dyshuar për fajde.