Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rozeta Hajdari: Nuk do t’u imponojmë tregtarëve vendin në rafte të produkteve vendore

Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Rozeta Hajdari, ka treguar se ku do të renditen produktet vendore në raftet e marketeve pasi shumë prodhues ankohen për mos-privilegjim të tyre karshi produkteve të tjera nga prodhuesit e tjerë.

Sipas Hajdarit, produktet do të vendosen në rafte në bashkëpunim me tregtaret dhe nuk do t`u imponohet.

“Do të kenë më shumë grante dhe subvencione prodhuesit vendor. Bashkë me tregtarët do ta gjejmë mënyrën sa më të mirë për vendosjen e produkteve në raftet e favorshme. Nuk do t’i imponojmë tregtarët se ku t’i vendosin produktet vendore”, tha Hajdari në DebatPernime.

Albin Kurti së bashku me ekipin e tij, Glauk Konjufca, Arben Vitia, Hekuran Murati, Albulena Haxhiu, Arbërie Nagavci, Fitore Pacolli, Jeta Statovci, Mimoza Kusari, Rozeta Hajdari nga Lëvizja Vetëvendosje, sonte janë të ftuar në #DebatPernime.

Cila është oferta e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit?

Cilat janë planet e Albin Kurtit dhe ekipit që ai i udhëheq për luftimin e korrupsionit?

A do të jetë kryeministër ai pas zgjedhjeve të 14 shkurtit?

Siç dihet, Kurti nuk është certifikuar në listën e Vetëvendosjes nga ana e KQZ-së, pas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës ai mbeti përfundimisht jashtë listës së votuesve.

Mirëpo, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dorëzuar KQZ-së, listë të re edhe pas vendimit të Supremes, duke e lënë kështu listën e njëjtë.

Cikli i #DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.