Rivarroset Vegim Qerkezi, i vrarë gjatë luftës

Një kosovar i vrarë nga forcat serbe gjatë luftës, trupi i të cilit kishte përfunduar në Shqipëri, është varrosur në vendlindje pas 21 viteve.

Ditë me parë janë identifikuar eshtrat  e martirit Vegim Qerkezi nga Gjakova i rrëmbyer nga forcat serbe në mars të vitit 1999. Ndërsa sot u bë  ceremonia e rivarrimit të eshtrave të tij në Gjakovë.

Prokurorja  Speciale, Drita Hajdari tha se rastin e ka pranuar në vitin 2017 dhe ka filluar punën për kthimin e trupit të tij në Kosovë dhe se para disa ditësh janë njoftuar që është arritur identifikimi.

“Tash jemi duke punuar në Prokurori për hetimin e rrethanave të vrasjes së tij dhe nëse kryerësit janë ende gjallë do t’i gjejmë” tha Hajdari.

Sipas saj, çështja e krimeve të luftës ka qenë në duart e ndërkombëtareve dhe në momentin  e parë që  ka pranuar këtë informacion  kanë vepruar.

Sipas familjarëve ,familja Totaj nga  Kukësi i Shqipërisë ishte kujdesur për viktimën për shumë vite pas luftës. Trupi i tij ishte  i varrosur në fshatin Domaj të Kukësit dhe varri i tij ishte quajtur Varri i Kosovarit për 18 vite.

Zëvendësministri i Drejtësisë Florian Dushi në emër të Qeverisë i shprehi ngushëllime familjes dhe tha se nuk do të ketë paqe pa gjetjen dhe zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini  i falënderoi të gjitha familjet e të të pagjeturve për atë që kanë bërë për veten dhe për vendin.

“Është goxha problem me gjet fjalë në raste të  tilla sepse nuk dijnë njerëzit a të  vajtojnë  a të gëzohen sepse e varrosim pas 21 viteve” tha Gjini.

Ceremonia e varrimit u organizua nga komuna  e Gjakovës dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur.