Foto: Policia e Kosovës

Vidhen armë në një poligon të shenjëtarisë në Gjakovë

Disa persona të panjohur kanë hyrë me forcë në një poligon të shenjëtarisë në Gjakovë dhe kanë vjedhur disa armë zjarri.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

Lidhur me këtë rast, ai thotë se janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe është njoftuar Prokurori i Shtetit dhe në konsultim me të është iniciuar rasti ‘vjedhje e rëndë’”- tha Elezaj.

Sipas organeve të rendit rasti është raportuar më 25.06.2024 rreth orës 00:55.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe pronarin e poligonit “Patriot”, Fitim Krasniqi, i cili ka deklaruar se i janë vjedhur afro 70 armë në vlerë të përgjithshme deri 150 mijë euro.

Ai e ka dhënë edhe versionin e tij se si ka ndodhur rasti.

“5-6 minuta deri sa është kry procesi brenda. Deri në 10 minuta ka zgjat futja brenda me thy derën. Ma kanë ndal direkt në trafo komplet rrymën e lokalit. Janë diku 70 armë. Vlera është diku minimum 130-150 mijë euro. Tre deri në katër veta kanë qenë”- theksoi Krasniqi.

Aktualisht, sipas Policisë, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në drejtim të identifikimit dhe arrestimit të të dyshuarve.