Rikthehen në treg për konsum sallamet dhe virshllet “Wudy”

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV) ka njoftuar se sallami i brendit “Wudy” dhe virshllet me datë skadence nga 30.10.2022 e tutje, rikthehen në treg për konsum.

Vendimi vjen pas njoftimit zyrtar të sistemit RASFF se produkti sallam i brendit “Wudy” dhe virshlle të loteve që kanë skadencë 30.10.2022 nuk janë të përfshira në incidentin e infektimit me bakterin “listeria monocitogenes”.

Kjo bazuar edhe në informatat e marra nga autoriteti i vendit të origjinës dhe vendimet e autoriteteve të tjera shtetërore ku tregtohet ky produkt, thuhet në njoftimin e AUV..

Produkti virshlle i brendit “Wudy” fillimisht është tërhequr nga shitja dhe ka qenë në proces të verifikimit dhe ndarjes sipas loteve dhe datës së skadencës.

Është grumbulluar në depon e importuesit nën mbikëqyrje të plotë të inspektoratit veterinar të AUV-së.

Pas ndarjes së produkteve, ato të cilat janë të sigurta, lejohet të kthehen në treg. Pjesa tjetër e cila është e dyshimtë në kontaminim sipas lajmërimit zyrtar do të mbetet e bllokuar për qarkullim deri në vendimin tjetër të inspektoratit (për rikthim në vendin e origjinës ose asgjësim), thuhet tutje në vendim.