Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Reshjet e shiut, rrjedh uji nga tavanet e dy klinikave të ShSKUK-së

Si pasojë e reshjeve të shiut ka pasur rrjedhje të ujit në Klinikën e Syve dhe atë të Otorinolaringologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se më tavanin e këtyre dy klinikave është grumbulluar ujë, dhe gjatë largimit, uji ka rrjedhur.

Sipas njoftimit, kjo nuk ka penguar punën në këto klinika.

“Si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut me instensitet të lartë, në tavanin e Klinikës së Syve dhe atë të Otorinolaringologjisë është grumbulluar sasi e ujit. Gjatë largimit të ujit nga Sektori Teknik i QKUK-së, ka ndodhur rrjedhja në dy klinikat në fjalë, por që nuk e ka penguar punën, meqë pacientët kanë marrë shërbimet shëndetësore”-thuhet në njoftim.

Si pasojë e reshjeve të denduara të shiut, Kosova po përballet me vërshime në disa rajone si pasojë e të cilave janë shkaktuar dëme të ndryshme.