Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kushtetuesja shfuqizon vendimin e Kuvendit për shkarkimin e 5 anëtarëve të KPMShCK-së

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka njoftuar se vendimi i Kuvendit për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, është në kundërshtim me dispozitat e Kushtetutës.

Gjykata ka konstatuar se vendimi i Kuvendit nuk është në pajtueshmëri me kushtetutën, andaj i njëjti shfuqizohet, e po ashtu është shfuqizuar edhe masa e përkohshme e caktuar përmes vendimit të Gjykatës.

KALLXO.com kishte raportuar për masën e përkohshme të gjykatës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte vendosur masën e përkohshme deri me 15 dhjetor të këtij viti ndaj vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për shkarkimin e 5 anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Kështu përmes masës së përkohshme ishte pezulluar vendimi i kontestuar dhe Kuvendi në këto rrethana duhet të përmbahej nga çdo veprim lidhur me zgjedhjen e anëtarëve të rinj deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Abelard Tahiri dhe 10 deputetë të tjerë të Kuvendit, kanë kërkuar nga Gjykata që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë të vendimit për shkarkimin e 5 anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Gjykata ka gjetur se Kuvendi ka kompetencë kushtetuese të bëjë mbikëqyrjen e KPMShCK por se këta anëtarë nuk mund të shkarkohen për shkak të vendimmarrjes meqenëse kanë pavarësi kushtetuese dhe ligjore si dhe imunitet nga shkarkimi.

“Kuvendi ka kompetencë kushtetuese të mbikëqyrë Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, duke përfshirë mundësinë e ndërprerjes së mandatit të anëtarëve të tij në rastet e përcaktuara në Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës; por se (ii) anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës nuk mund të shkarkohen vetëm për shkak të “vendimmarrjes”së tyre sepse përkitazi me të njëjtën kanë pavarësi kushtetuese dhe ligjore, si dhe imunitet nga shkarkimi, siç është përcaktuar në vetë ligjin që ka miratuar Kuvendi”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Gjykata ka vlerësuar se anëtarët e këtij këshilli gëzojnë pavarësi dhe imunitet nga shkarkimi madje për me tepër vendimmarrja e tyre me tepër i nënshtrohet kontrollit të pushtetit gjyqësor e jo atij legjislativ.

“Ka tejkaluar kufijtë e kompetencës së mbikëqyrjes së punës së institucioneve publike, të përcaktuar me paragrafin 9 të nenit 65 të Kushtetutës, në cenim të garancive përkitazi me pavarësinë e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës në ushtrimin e funksionit të tij, të përcaktuar me paragrafin 2 të nenit 101 të Kushtetutës”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Kuvendi i Kosovës kishte miratuar rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Me 62 vota për 3 vota kundër, 11 abstenime, Kuvendi i ka shkarkuar pesë anëtarët e KPMShCK-së.

Anëtarët e shkarkuar të këtij Këshillit deri më sot ishin: Eshref Shabani, Malsore Gashi – Bajraktari, Jeton Koca, Arben Mehmeti dhe Ardita Haxhinikaj – Demi.

Kuvendi shkarkon pesë anëtarët e KPMShCK-së