Arkiv

Reagon Isa Mustafa: Kompania gjermane Bilfinger ishte e painteresuar për rindërtimin e Kosovës A

Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, ka thënë se kompania gjermane Bilfinger nuk ka ofruar asgjë më shumë sesa 15-20 faqe PowerPoint.

Ai ka thënë se kjo është e vërteta për këtë firmë dhe zhurmën që po bëhet për investimet e saj në rindërtimin e Kosova A e që po vazhdojnë edhe sot në Kuvend.

“Është e vërtetë se në takimin tim, si Kryeministër me Kancelaren Merkel, më 30 qershor 2015, ndër çështjet e rëndësishme shtroi edhe rindërtimin e Kosova A përmes firmës Bilfinger. Unë shpreha gatishmërinë e plotë ta zhvillojmë këtë projekt. Me angazhimin e Kancelarës, të njëjtën ditë , në orët e mbrëmjes, kemi organizuar takim me përfaqësuesit e Bilfinger në Berlin. Kemi kërkuar ta konkretizojnë propozimin e tyre, koston e investimit, kapacitetin dhe burimet e financimit”, ka thënë Mustafa përmes një postimi në Facebook.

Sipas tij përfaqësuesit e Belfinger u zotuan se do të informojnë brenda 15 ditëve, por nuk kanë informuar asnjëherë edhe përkundër insistimit të vazhdueshëm të kabinetit të tij.

“Duke pasur parasysh lidhjet ekonomike me Gjermaninë dhe teknologjinë gjermane në gjenerimin e energjisë elektrike në Kosovë, ne kemi qenë të interesuar që projektin ta realizojmë së bashku me ta, por kompania Bilfinger është treguar krejtësisht e painteresuar. Krahas kësaj ne kemi vazhduar me Kosovën e Re”, ka shkruar Mustafa.

Një ditë më parë kryeministri i vendit Albin Kurti kur njoftoi për rikthimin e bllokut B2 në punë tha “me fjalë tjera, për çdo orë do t’i paguajmë rreth 50 mijë euro import më pak, e deri nesër në mëngjes rreth 1,2 milion euro më pak se gjatë ditëve të javës që po lëmë pas. Ky është lajm shumë i mirë për të gjithë neve. Eh sikur ta kishim tash TC ‘Kosova A’ të rindërtuar nga Bilfingeri gjerman dhe blloqet B3 dhe B4 me nga 300 MW fuqi secila”.

Kuvendi sot po mbanë seancë të jashtëzakonshme me një pikë të rendit të ditës, debat parlamentar lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike.