Reagon Besa Shahini për hartën e Kosovës, thotë se është gabim i paqëllimshëm

Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Besa Shahini, ka reaguar në lidhje me skandalin që u publikua në rrjetet sociale, ku në një tekst shkollor në Shqipëri, Kosova figuronte si pjesë e Serbisë.

Shahini përmes ‘Facebook’ ka shkruar se është një gabim i paqëllimshëm dhe nuk është i vetmi.

“Më erdhi keq kur pashë të postuar në rrjete sociale një faqe të një libri me pasaktësi në hartën e rajonit të Ballkanit. Kosova është Republikë dhe njihet si e tillë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, 23 vende anëtare të BE-së, SHBA-të dhe shumë shtete të tjera aleate. Por nga autori i librit, te artisti grafik, te redaktori i shtëpisë botuese e deri te komisioni që ka dhënë OK për botim, nuk kanë qenë në gjendje ta vërejnë mungesën e shtetit të Kosovës në të”, ka shkruar Shahini.

Shahini gjithashtu ka shkruar se për të është lajm i mirë që ka ndodhur në kohën kur po zhvillohet procesi i kontrollit të librave shkollorë, pasi procesi për hartimin e librave të rinjë është mbyllur.

“Pastaj do të vihet në lëvizje detyrimi për shtëpitë botuese që t’i adresojnë menjëherë me fletë plotësuese gabimet e konstatuara, ndërsa në vijim me redaktim të plotë”, thuhet në fund të reagimit të ministres Shahini.

Ky është skandali i dytë gjatë kësaj jave në lidhje me Kosovën. Ditë më parë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, postoi në ‘Facebook’ një hartë në të cilën tregonte për investimet për furinizimin me ujë, por në këtë hartë Kosova figuronte si pjesë e Serbisë.

Edi Rama bashkon Kosovën me Serbinë

.