Edi Rama - Foto: REL/AP

Edi Rama bashkon Kosovën me Serbinë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë ditës së sotme e publikuar një harte në të cilën ai tregon për investimin për furnizim në ujë.

Mirëpo në këtë postim kryeministri shqiptar e ka vendosur Kosovën si pjesë të Serbisë.

Harta në të cilën shihen edhe vijat kufitare të shteteve tjera të Ballkanit, e tregon territorin e Kosovës brenda kufijve të Serbisë. Në hartë shihen kufijtë e shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor: Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Më vonë, shihet se Rama e ka edituar videon dhe ka vendosur një hartë të Shqipërisë pa kufijtë e shteteve përreth.

“Dhe me hartën e investimeve për sigurimin e furnizimit 24 orë me ujë në zonat rurale të vendit nga veriu në jug, ju uroj ditë të mbarë”, kishte shkruar Rama në Facebook.

 

Pas këtij postimi të kryeministrit shqiptar ka reaguar Nezir Kraki, profesor në “Université Paris-Est Créteil” (UPEC),

Sipas tij ky postim i kryeministrit Rama tregon që për të Kosova është Serbi.

“Kosova e Edi Ramës është Serbia. Aq mirë e njeh Edi Rama Kosovën saqë nuk e heton fare mos prezencën e saj në hartat e Serbisë të cilat tash ky vet i proklamon përmes kanalit propagandistik dhe qesharak ERTV. Dhe çka është edhe më tragjike, as ministri i tij i punëve të jashtme Baton Haxhiu nuk alarmohet nga injoranca gjeografike e shefit fuqiplotë”, ka shkruar Kraki në facebook.

Sipas Krakit kjo tregon se tani orientimi i Shqipërisë në mbrojte të kombit shqiptar nuk është më në rrugën e duhur.

“Vizioni strategjik i Shqipërisë si kujdestare e kombit shqiptar në Ballkan ka rrëshqitur drejt strategjisë serbe duke e asistuar atë në vizionin e saj (botërisht të njohur përveç nga Rama) të panserbizmit dhe antishqiptarizmit. Kam muaj që tentoj ta deshifroj këtë sjellje vet shkatërruese të këtij kryeministri izolues dhe nuk ia dal dot”, ka shkruar tutje ai.

Tutje Kraki ka thënë se nuk mund ta kuptoj sesi kryeministri shqiptar është ‘kaq i dëmshëm dhe kaq kundër produktiv edhe në trevat tjera me shqiptarë’

Profesori universitar ka thënë që nuk është i habitshëm ky postim i kryeministrit shqiptar pasi që sipas tij ai shumë herë ka shprehë armiqësi ndaj krerëve shtetëror kosovar.

“Tash që kryeqendër e Kosovës u bë Beogradi nuk habitem që edhe Serbia të bëhet Kosovë për Edi Ramen. Tekefundit, ky ka shprehur armiqësi dhe kritika veç ndaj Kosovës (dhe kryeministrit të saj, asnjëherë ndaj vendit mik, Serbisë, dhe vëllait pro-evropian, Vuçiqit”, ka theksuar ai.