Foto: KALLXO.com

Reagimi i serbëve kur BBC po transmetonte xhirimet nga Prekazi prej dhomave të montimit në hotelin "Grand"

Gazetari britanik Vaughan Smith, i cili gjatë luftës në Kosovë filmoi sulmin në Prekaz dhe kufomat e të vrarëve, thotë se kaluan shumë postblloqe serbe për të sjellë xhirimin në Prishtinë.

Sipas tij, atë kohë serbëve mund t’u ishte thënë të mos i prekin mediat ndërkombëtare.

“Unë mendoj se në atë kohë kishte diçka në lidhje me serbët, mendoj se atyre u ishte thënë që të mos preknin mediat, ata s’kanë dashur telashe me eprorët e tyre lidhur me këtë, kështu që ne si gazetarë e dinim si të sigurohemi (që kaseta të arrijë në transmetim)”, ka thënë Smith.

Sipas tij, në hotelin “Grand Hotel” ndodhej dhoma e montimit dhe redaktimit, ku paraushtarakët rrinin në korridorin e hotelit.

Smith në emisionin “Kallxo Përnime” shtoi se në katin e parë të hotelit, serbët kishin zyrën e dezinformimit (apo zyrë propagande).

“Ishte një kohë mjaft interesante sepse paraushtarakët ishin në hotel, edhe përveç kësaj serbët kishin një lloj zyre dezinformimi (apo zyre të propagandës) të shtypit në bodrum të hotelit “Grand Hotel”, ata e quanin “Qendra mediale”, shtoi tutje Smith.

“Mbaj mend që ne duhej të lëviznim nëpër Prishtinë me kasetat në të cilat vetëm ne e dinim se çfarë kishim, por ata nuk e dinin. Thjesht, kishte një marrëveshje me BBC-në dhe televizionin vendor dhe këto janë korporata, janë kompani që kanë pasur marrëveshje ku ne mund të paguajmë para për të përdorur shërbimet e tyre të transmetimit”, potencon më tej Smith.

Gazetari ndau disa kujtime të reagimit të serbëve kur kasetat e tyre ishin lëshuar në transmetim në prani të tyre.

“Më kujtohet kur unë e fusja videokasetën në makinë (në RTP), dhe transmetoheshin pamjet që mund t’i shihnim të gjithë në ekran, sepse transmetohej drejtpërdrejt, të gjithë njerëzit që ishin në atë zyre e shikonin këtë duke mos ditur se çfarë ishte. Me një moment, pamjet flisnin për vete, dhe ata u ndalën (së foluri), m’u duk sikur e kuptuan që ndoshta kjo nuk ishte diçka edhe aq e butë. Mbaj mend që sytë e tyre u hapën kur panë pamjet. Por ishte tepër vonë, pamjet tanimë ishin duke u transmetuar dhe ata nuk mund ta ndalonin”, thotë Smith.

Gazetari britanik thotë se është për t’u çuditur që nuk ua penguan punën.

“Ata gjithashtu e kuptuan se, si gazetarë ne kishim qasje edhe në kamionët satelitorë pas një kohe të shkurtër, dhe mund të bënin transmetimet pa pasur nevojë të përdoreshin pikat lokale transmetuese. Por është interesante dhe ishte mjaft për t’u habitur me mënyrën se si nuk na penguan të punonim më shumë se sa mund të na kishin penguar. Ata për shembull në disa momente e ndalonin hyrjen e gazetarëve (në Kosovë), por nëse ju ishit tashmë brenda, dhe disa prej nesh që ishin nga Perëndimi rrinim këtu, atëherë edhe ne mund të punonim”, potencon më tej Smith.