Reagimi i Qeverisë: Nuk është refuzuar pjesëmarrja e Bislimit sepse nuk ka pasë konfirmim paraprak

Këshilltari për media i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu ka thënë se lajmi për pjesëmarrjen e Bislimit në takimin joformal në Tiranë të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor nuk është i vërtetë.

Ai tha se pjesëmarrja e Bislimit nuk ka qenë e planifikuar e aq më pak e konfirmuar.

“Meqë nuk ka patur asnjë konfirmim nga zëvendëskryeministri Bislimi, atëherë nuk ka mundur as t’i refuzohej pjesëmarrja apo prania e tij. Prandaj edhe raportimet nga disa media shqiptare në lidhje me refuzimin nuk janë gjë tjetër veçse spekulim dhe duke qenë i tillë veç mund të spekulojmë për origjinën e tij” – ka thënë Kadiu.

KALLXO.com ka kërkuar nga i njëjti të dijë se ku ndodhet zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi sot. Kadiu nuk ka dhënë detaje tjera teksa ka kërkuar t’i referohemi reagimit të tij publik.

Një takim joformal i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor është paraparë të zhvillohet të hënën e 17 korrikut në Tiranë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, njoftoi se kryeministri Albin Kurti është ftuar në këtë takim por nuk do të marrë pjesë meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë.

Në media u raportuar se si përfaqësues i Kosovës do të merrte pjesë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, por takimi i tij nuk do të jetë i mundur për shkak të protokollit.

Qeveria konfirmon se Kurti nuk do të shkojë në takimin e thirrur nga Rama në Tiranë