Burimi i fotos - Yll Rugova - Facebook

Reagimi i parë nga VV pas refuzimit të LDK-së

Një zyrtar i Vetëvendosjes e ka quajtur “dëshpërues” refuzimin e sotëm të LDK-së ndaj ofertës së Albin Kurtit për një listë të përbashkët zgjedhore të këtyre dy partive pa një kandidat të oaracaktuar për kryeministër.

“Është dëshpërues refuzimi i sotëm i LDK-së. Dhe me këtë u dëshmua se nuk është plotësisht për demokracinë si proces. Sidoqoftë, tashmë ka kohë edhe pas zgjedhjeve. Ndryshimi po vjen”, ka shkruar në Facebook zyrtari i VV-së, Yll Rugova.

Më herët, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ia ktheu Albin Kurtit një përgjigje refuzuese ndaj ofertës së tij.

Ndërsa kandidatja e LDK-së për kryeministre të Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur sot për refuzimin që LDK ia bëri ofertës së VV-së për një listë të përbashkët parazgjedhore, pa një kandidat të paracaktuar për kryeministër.

“Ajo çka është propozuar sot nga VV shpie në garë mes nesh, ndërsa ne jemi në garë me PAN-in. I ftojmë për bashkëpunim të sinqertë”, tha Osmani.

“Nuk mund ta shpiejmë garën mes meje dhe Albinit, mes sipmpatizantëve tanë dhe të VV-së. Kemi tejkaluar gjithçka prandaj i ftoj ata ta rimendojnë këtë qasje dhe qasjen ta ndryshojë prej qasjes për garë mes vete në një bashkëpunim mes vete”, shtoi ajo.

Pak më herët, Kurti i propozoi Mustafës një listë të përbashkët të kandidatëve LDK-VV në të cilën kandidatja e LDK-së për kryeministre do të ishte e para në listë ndërsa kandidati i VV-së i dyti.

Afati për regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore në KQZ skadon sonte në mesnatë.