Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Reagime nga Presidenca pas komenteve për "izolimin" e presidentes në arenën ndërkombëtare
Shefi i Stafit të Prisidentës së Kosovës, Vjosa Osmani, Blerim Vela ka reaguar pas disa kritikave ku thuhet se presidentja është izoluar në arenën ndërkombëtare pasi që kjo e fundit nuk është ftuar në “Samitin e Presidentit për Demokracinë” të mbajtur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas Velës këto kritika janë bërë nga opozita.
“Tendenca e ca figurave opozitare për krijimin e narrativit për gjoja izolimin e Presidentes janë të pabaza”, ka thënë Vela në një postim në Twitter duke shtuar se presidentja që nga prilli ka realizuar mbi 30 takime me homologë të saj.
“Në raport me SHBA, mes tjerash, [Presidentja] ka pasur komunikim me Presidentin Biden e ka biseduar me zëvendëspresidenten Kamala Harris”, ka thënë ai.
Vela ka shtuar tutje disa nga bashkëpunimet që kanë ndodhur në mes dy vendeve.
“Si rezultat i partneritetit të tillë me SHBA-në janë siguruar mbi 500 mijë vaksina, është përcjellë video adresimi personal i Presidentit Biden dhe është realizuar strehimi i përkohshëm i refugjatëve afganë”, tha ai.
I njëjti përfundoi duke thënë se të gjitha këto janë realizuar “pa shtyrë ide për copëtimin e Kosovës”.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e ka konfirmuar që Republika e Kosovës nuk do të jetë pjesë e “Samiti i Presidentit për Demokraci” që do të mbahet në dhjetor të këtij viti.